Lidhja e Shkrimtarëve të vdekur

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Edison Ypi

I leu dikujt në zemër, ngriti muzeun “Shtëpia Kadare”.

Shif rrushi-rrushin e piqu, pas tij, një tjetër, ndoshta po ai, hapi muzeun “Shtëpia Dritëro”.

Me gjirokastritin që shkrau romane me perandorira, ëndërra, kalorës të vrërët, luftra të përgjakshme, intriga, varre, të vdekur, dhe devolliun që thuri poeziçka me katundarë të lumtur duke u llafosur rrotull vatrës, u duk se me këto dy shtëpi muze, problemi i një vendi të shenjtë ku adhuruesi i fjalës së bukur, sipas preferencës së vet, të mund të derdhi dy pika lot, kjo mesele mori fund.

Por u ngrit një ters e tha: Borgjezi Kadare e hidhte përpjetë. Armiku Kadare, ky Kalë Troje i borgjezisë ndërkombëtare brenda Shqipërisë kooperativiste, ishte mëndjemadh, s’të fliste me gojë. Ndërkohë, katundari, pijetari, proletari, bolsheviku, Dritëro ishte modest, të kënaqte me muhabet. Letërsi dhe Tango është qef i madh.

Por Tango me 1 s’është e mundur. Për tango duhen, për fat, aq sa korifej kemi, 2. Korifejtë mjaft vuajtën veç e veç. Tani duhen afruar, duhen barazuar, mesatarizuar, kooperativizuar, komunistizuar. I fusim të dy në një varr. Ku asnjërit të mos i prishet qefi. Ku të gjithë të mbeten buzagaz. Të kënaqet mileti. Të lumturohet kallaballëku. Të ndizet festa. Të shtrohet gostia. Të hidhet valleja. Të derdhet rakia. Nuk është e pamundur. Bëhet kollaj. Ulim pak Kadare borgjezin. Ngremë pak Dritëro popullorin. Dhe u kry. Të dy brenda në varr. Të dy në mes. Të dy njësoj. Të dy të barabartë. Të gjithë të kënaqur. Të gjithë të lumtur. Pra bashkojmë “Shtëpinë Kadare” me “Shtëpinë Agolli”, në një shtëpi të vetme me emër “Shtëpitë Agolli Kadare”. Kështu e kanë pagëzuar varrin e të dyve. Kështu quhet në Internet, ku, me të drejtë, theksohet se këta dy varre janë thelbi i edukimit. U sa bukur. O pika na raftë që s’e dinim.

Në 1 varr dy shkrimtarë. Duheshin aq fort sa as vdekja nuk i ndau dot. Ai i romaneve dhe ai i vjershëzave, të dy njësoj të lavdishëm, njësoj të dashur, njësoj të dobishëm. Dhe thonë se Parajsa letrare nuk ekziston.

Kadare me varre, kufoma, fantazma, Agolli me bejte dhe poeziçka, janë bajagi larg. Por, sa kohë mesatarizimi i të dyve brenda një varri u krye me sukses, për shakaxhinjtë e Letërsisë, diferencat në fjalë, s’kanë asnjë rëndësi, s’përbëjnë asnjë problem.

Lexo edhe :  Bota u bë e keqe, por jo më e keqe

U bë mirë që u bashkuan dhe u rrafshuan një herë e mirë të dy në një varr.

Por sikur s’ka lezet që dy korifej të luajnë, sado bukur, tango në varr. Tepër liberale. Tepër e shthurur. Tepër e lëvizëshme. Lypset diçka më serioze, më viskoze, më e ngrirë, më e ngurtë. E gjeta. S’ka më të shtangët se trekëndëshi. Atyre të dyve në varr, u shtojmë një tjetër shkrimtar. Për shembull zevzekun Sabri Godo. Dhe, nga 2, bëhen 3 të vdekur në një varr.

Ore, ja morët frymën Artit, Letërsisë me gjithë këtë ngrirje, këtë ngurtësi, u hodh një tjetër nga salla, bëjeni paralelogram. Shtoni Maks Velon, mjeshtrin e kuadrateve. U kry. Ja ku u bënë katër të vdekur në një varr.

Sakën se e tradhëtoni yllin e kuq të komunizmit me pesë cepa, u hodh e tha një karabush. U tha u ba. Varrit j’u shtua edhe një i vdekur, Kasem Trebeshina. U bënë pesë. Oborri u bë një Pentagon.

Do i mbetet qefi yllit me gjashtë cepa të hebrejve, u hodh e tha një surratpatate. I gjashti i vdekur në varrin e Panteonit apo Pentagonit u aprovua njëzëri ai që më së shumti e meriton; Legen Hajduti.

Mjaft me lojra fjalësh. As Muze, as Panteon, as Pentagon. Ky varr shkrimtarësh sot e mot e përgjithmonë do quhet:

Lidhja e shkrimtarëve të vdekur.

Dhe ashtu u bë.

Në pak kohë stërvarri i “Lidhjes së shkrimtarëve të vdekur” u popullua nga të tjerë të vdekur ttë famshëm që j’u bashkuan nismës për të mbedhur tek i njëjti megavarr sa më tepër bejtexhinj, dhe sa më pak poetë. Kjo, me synimin që, batalionet e bejtexhinjve, regjimentet e kalemxhinjve, plus repartet e shkarrashkruesve, të mund të vazhdojnë të gjallojnë ndër shekuj sa më afër-e-afër e bythë-më-bythë me njëritjetrin.

“Lidhja e Shkrimtarëve të vdekur” nuk duhet ngatërruar kurrsesi me “Lidhja e Shkrimtarëve” e kohës kur kryetarë të saj ishin shuteriqët dhe siliqët. Varri i sotëm është me të vdekur të gjallë. Varri i asokohe ishte me të gjallë të vdekur. I vetmi fill që i bashkon dy Lidhjet, është i ziu varri, dhe i ndrituri Kolkozi./kb

Të fundit

Metoda 2-4-2 për të agjëruar më lehtë gjatë Ramazanit

Po ballafaqoheni me etje, dhimbje koke, lodhje apo fryrje gjatë agjërimit? Kjo për shkak se nuk po pini ujë në...

Përmirësohet gjendja shëndetësore e Papa Françeskut

Papa Françesku, i cili është i shtruar në spitalin Gemelli të Romës për shkak të problemeve të frymëmarrjes, është në gjendje të qëndrueshme. Më...

Merrte asistencë si i papunë, shqiptari kapet me 1 kg kokainë dhe 40 mijë euro cash

Një 35-vjeçar shqiptar që ishte i papunë dhe trajtohej me asistencë sociale, ka gjetur një tjetër mënyrë për të siguruar fitime më shumë: përfshirja...

A doni të jetoni në Zvicër? Ju japin 25 mijë € për person nëse zhvendoseni në këtë fshat

Kur vjen puna për zgjedhjen e një vendi për të jetuar, ka shumë faktorë që ndikojnë. Për shembull, distanca nga familja dhe miqtë, lloji...

Ndodh edhe kjo! Publikoi foto intime të një djali, nën hetim vajza 17-vjeçare në Fier

Policia në Fier ka vendosur nën hetim një 17-vjeçare, pasi dyshohet se ka publikuar fotografi intime të një djali 18 vjeç. Fotografia është publikuar në...

Lajme të tjera

Web TV