PD mbyll primaret, të rinjtë dolëm në fillim liste, të vjetrit poshtë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Partia Demokratike ka përfunduar procesin e primareve për zgjedhjet e 11 majit, ku anëtarësia zgjodhi kandidatët për deputetë me votë direkte. Rezultatet shpallën fitues emra të njohur, por prodhuan edhe surpriza të forta, me figura që mbetën në fund të listës dhe prurje të reja që fituan terren. Kryesia e PD do të vendosë renditjen përfundimtare, ndërsa gara e brendshme nxori në pah frymën e ndryshimit dhe përplasjen mes brezave në strukturat e partisë.

 

Partia Demokratike ka përmbyllur procesin e primareve për përzgjedhjen e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 majit. Procesi u zhvillua në të gjitha degët e PD-së në 12 qarqet e vendit, me pjesëmarrjen e mbi 50 mijë anëtarëve. Për herë të parë, kandidatët për deputetë në listat e Partisë Demokratike u përzgjodhën me votën direkte të anëtarësisë, në një proces që zgjati një ditë dhe u mbyll me numërimin e votave gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit.  Këto primare prodhuan një kombinim mes emrave të konfirmuar dhe disa surprizave të papritura, me figura të njohura që morën rezultate zhgënjyese dhe prurje të reja që arritën të kryesojnë garën në disa zona kyçe.

 

Emrat dhe suprizat

Primaret e 11 majit treguan qartë një tendencë të dyfishtë brenda Partisë Demokratike: nga njëra anë, strukturat vendore kanë vijuar të mbështesin disa figura të njohura dhe me përvojë në politikën vendore, ndërsa nga ana tjetër, janë hapur dyert për emra të rinj që sjellin frymë të re dhe qasje më pragmatike ndaj fushatës dhe nevojave të komunitetit. Kjo përzierje mes eksperiencës dhe energjisë së re pritet të jetë strategjia me të cilën PD do të synojë të bindë votuesit shqiptarë në zgjedhjet e 11 majit, një betejë ku përveç përballjes me kundërshtarët politikë, PD do të duhet të përballet edhe me sfidën e ribashkimit të plotë të elektoratit të saj tradicional. Një nga surprizat më të mëdha të këtyre primareve u regjistrua në qarkun e Korçës, ku Edmond Spaho, një prej emrave historikë të Partisë Demokratike dhe ish-nënkryetar i saj, mori vetëm 15 vota në Bashkinë e Korçës, duke mbetur shumë prapa në renditje. Ky rezultat tregon një largim të qartë të strukturave vendore nga emrat e vjetër dhe hapjen ndaj figurave të reja dhe të angazhuara rishtazi në terren.  Edhe në qarkun e Dibrës, një tjetër figurë e njohur, ish-gjenerali Xhemal Gjunkshi, u rendit në mesin e tabelës me vetëm 118 vota, ndonëse në të kaluarën ka mbajtur poste të rëndësishme në strukturat e PD-së dhe në administratë. Ky rezultat i dobët për Gjunkshin, dikur një nga mbështetësit e afërt të ish-kryeministrit Berisha, konfirmon një trend të ri brenda PD-së, ku anëtarësia po shikon drejt figurave me angazhim të drejtpërdrejtë në komunitet. Nga ana tjetër, në disa qarqe ka pasur konfirmime të forta për figura që edhe më herët kanë treguar mbështetje të gjerë në bazë. Në Tiranë, Jorida Tabaku rezultoi zonja më e votuar me 650 vota, duke konfirmuar një mbështetje të qëndrueshme mes demokratëve të kryeqytetit. Në Elbasan, deputeti Dashnor Sula kryesoi me 550 vota, duke konfirmuar pozitat e tij të forta në këtë qark. Po kështu, në Vlorë, Ina Zhupa u rendit e para me 765 vota, duke marrë një mbështetje të qartë nga demokratët e jugut. Në qarkun e Shkodrës, primaret prodhuan një garë të fortë dhe të ngushtë mes disa kandidatëve, me deputetin Ramadan Likaj që doli i pari me 460 vota, i ndjekur nga Gentjan Ndoj me 415 vota dhe Bardh Spahia me 395 vota. Kjo garë e fortë tregon për një ndarje të dukshme të mbështetjes brenda strukturave vendore dhe një rivalitet që pritet të vazhdojë edhe gjatë fushatës elektorale. Edhe në qarkun e Dibrës u regjistrua një garë interesante mes disa figurave me peshë lokale. Ish-kryebashkiaku Ilir Krosi doli i pari me 578 vota, duke lënë pas kryetaren e PD Mat, Denisa Vata me 369 vota dhe gazetarin Basir Çollaku me 247 vota. Prania e një gazetari me profil publik në listën e më të votuarve tregon një qasje të re të demokratëve për të afruar zëra kritikë dhe figura mediatike në strukturat drejtuese. Procesi në tërësi u mbyll pa incidente madhore, me përjashtim të një rasti të shënuar në Konispol, ku u konstatuan 20 fletë votimi më shumë sesa numri i votuesve që kishin firmosur në listat zyrtare. Nga 176 persona që kishin votuar, në kuti u gjetën 196 fletë votimi, duke ngritur dyshime mbi integritetin e procesit në këtë zonë dhe duke lënë hapur mundësinë e rishikimit të rezultateve nga ana e Komisionit të Organizimit të Primareve.

Lexo edhe :  Rama batuta në Gjermani: Shijet tonë janë ndryshe, jo si ai lëngu që ju e quani kafe

 

Procesi

Pas mbylljes së numërimit, rezultatet e primareve do t’i përcillen Kryesisë së Partisë Demokratike, e cila do të ketë fjalën e fundit për renditjen përfundimtare të kandidatëve në listat për çdo qark. Përveç votave të marra në primare, Kryesia do të marrë në konsideratë edhe kontributin politik, përfshirjen në strukturat e partisë dhe angazhimin elektoral të secilit kandidat. Kandidatët që kanë kaluar pragun minimal të votave do të kalojnë automatikisht në fazën përfundimtare të përzgjedhjes, ndërsa renditja e tyre në listat përfundimtare do të jetë një balancë mes votave të primareve dhe vendimmarrjes politike nga organet drejtuese të PD-së. Kjo pritet të sjellë diskutime dhe debate të brendshme, sidomos në qarqet ku gara ka qenë e ngushtë dhe votat janë ndarë mes disa emrave me peshë./K.K

Të fundit

‘Amerika nuk do ta durojë për një kohë të gjatë’/Zelensky i kundërpërgjigjet Trump

Volodymyr Zelensky ka theksuar rëndësinë e arritjes së një paqeje të vërtetë dhe të shpejtë, pas kritikave të Donald...

Aksident në Barcelonë/ Dy autobusë turistësh përplasen ‘kokë më kokë’, 50 të lënduar

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Barcelonë, ku dy autobusë që po transportonin turistë janë përplasur me njëri-tjetrin, duke lënë rreth 50 persona...

Krimi elektoral?/ Kikia: SPAK të ndjekë paranë, besoj do shkojë te “strofulla”

Analisti Mentor Kikia, komentoi aktualitetin politik. Duke folur për Primaret në Partinë Demokratike, Kikia tha se primaret në PD janë një proces pozitiv për demokracinë....

Zbardhen emrat/ Berisha i jep Metës katër deputetë të sigurt

Marrëveshja e koalicionit mes Sali Berishës dhe Ilir Metës i ka siguruar këtij të fundit katër karrige të sigurta në Parlamentin e ardhshëm. Sipas dakordësisë...

Primaret në PD, Ngjela: Proces fars, Saliu ka halle më të mëdha

Teksa ka komentuar procesin e primareve në Partinë Demokratike, avokati Spartak Ngjela tha se pavarësisht se në parim është një hap pozitiv, në thelb...

Lajme të tjera

Web TV