Last Updated on 03/03/2025 by adminfjala
Kryeministri Edi Rama deklaroi se pavarësia e drejtësisë është një arritje historike për Shqipërinë, duke theksuar se për herë të parë që nga viti 1912, pushtetarët nuk janë më të paprekshëm dhe shpatën e ndëshkimit nuk e mban më politika, por drejtësia e cila vepron e lirë dhe pa asnjë lloj ndikimi, ndërsa qeveria është e vendosur të mbështesë këtë proces edhe kur kostoja politike është e lartë.
Ne jemi të vendosur të mos cenojmë pavarësinë e drejtësisë. Këtë mesazh e përcolli kryeministri Edi Rama gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në panairin ndërkombëtar të punës që u zhvillua në Athinë. Gjatë fjalës së tij, Rama iu përgjigj edhe thirrjeve për dorëheqjen e tij, për shkak se disa ministra të qeverisë së tij janë sot pas hekurave. Ai theksoi se, për herë të parë në historinë e vendit, ata që kanë pasur lidhje me pushtetin nuk janë më të paprekshëm dhe kjo, sipas tij, është arsye për t’u ndjerë kryelartë. “Thonë që duhet të largohem sepse disa ministra kanë përfunduar në burg dhe tani, sipas tyre, e kam radhën unë. Por ajo që ka vërtet rëndësi është pikërisht kjo: që për herë të parë që nga viti 1912, ata që janë të lidhur me pushtetin nuk janë mbi ligjin. Për herë të parë që nga shpallja e Pavarësisë, pushteti ekzekutiv ia ka dorëzuar shpatën e ndëshkimit pushtetit të drejtësisë. Deri kur morëm ne detyrën, drejtësia ishte nën hijen e politikës. Ne nuk e morëm këtë detyrë për të ruajtur rehatinë e pushtetit, por për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian,” – tha Rama. Gjatë fjalimit, ai nënvizoi se qeveria e tij i ka vënë në dispozicion drejtësisë të gjithë mekanizmat shtetërorë dhe do të bashkëpunojë pa asnjë rezervë sa herë që drejtësia e sheh të nevojshme për të larguar elementët e korruptuar nga institucionet. Vetëm kështu, shtoi Rama, Shqipëria mund të luftojë korrupsionin seriozisht dhe të afrohet me vendet e Bashkimit Europian.
“Sot kjo qasje ka ndryshuar. Ne i kemi dorëzuar drejtësisë shpatën e ndëshkimit dhe kemi vendosur në dispozicion të saj gjithë organizmin tonë. Drejtësia në Shqipëri nuk ka traditë pavarësie dhe ky është një proces që kërkon kohën e vet. Por ne jemi të vendosur të mos e prekim pavarësinë e drejtësisë dhe të përballojmë edhe goditjet e padrejta që mund të na vijnë rrugës. Kjo nuk është një punë e zakonshme, është një mision, një përgjegjësi që kemi marrë për ta çuar Shqipërinë në familjen europiane,” – përfundoi kryeministri Rama.
Panairi
Kemi ardhur me 120 kompani shqiptare nga Shqipëria për të sjellë në Athinë Shqipërinë e punës dhe për t’u treguar nga afër motrave dhe vëllezërve tanë në Greqi, të cilët dikur erdhën këtu për të kërkuar një punë të ndershme dhe për të ngritur ekonominë e tyre familjare, që sot Shqipëria ka punë për ta. Me këtë mesazh e nisi fjalën e tij kryeministri Edi Rama në takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë, pas vizitës që zhvilloi në stendat e panairit shqiptar në kryeqytetin grek. Gjatë fjalës së tij, kryeministri theksoi se 120 kompanitë shqiptare të pranishme në panair jo vetëm që ofrojnë vende pune në sektorë të ndryshëm, por edhe paga më të mira sesa ato që ofrohen për të njëjtat pozicione në tregun grek. Rama u shpreh se ky është vetëm fillimi i një nisme që synon të afrojë Shqipërinë e sotme me bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, duke paralajmëruar se ky panair i parë do të pasohet nga të tjerë, jo vetëm në Greqi, por edhe në vende të tjera ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët. “Ky panair i parë në Athinë do të pasohet nga një panair i dytë në vjeshtë. Do të vijmë përsëri dhe do të jemi këmbëngulës, sepse të 120 kompanitë që kanë ardhur këtu sot ofrojnë vende pune dhe paga më të mira sesa pagat që fitohen në të njëjtat vende pune këtu në Greqi. Për të gjithë ata që vazhdojnë ta shohin Shqipërinë përmes kanaleve të këneta mediatike, ku zhurma e bretkosave nuk pushon, dua t’u them se realiteti është krejt ndryshe. Në sektorin e turizmit, për shembull, sapo po flisja me një zonjë që punon si sanitare në një hotel këtu në Greqi. Për 21 dhoma që ka në përkujdesje, ajo merr 580 euro. E njëjta punë në Shqipëri sot paguhet 950 euro,” – tha Rama. Kryeministri foli edhe për transformimin që po ndodh në sektorin e ndërtimit dhe turizmit në Shqipëri, duke theksuar se sot po ndërtohen vepra që nuk i sheh në Greqi, si kulla moderne, hotele dhe resorte të projektuara nga disa prej arkitektëve më të mirë të botës, të cilët punojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në projekte ndërkombëtare. Sipas Ramës, kjo industri në zhvillim kërkon gjithnjë e më shumë krah pune të kualifikuar dhe ofron paga konkurruese me tregun europian. “Në Shqipëri sot po ndërtohen vepra që në Greqi nuk i sheh. Flas për kullat, hotelet dhe resortet në bregdet, të projektuara nga arkitektët më të mirë të botës dhe nga arkitektë shqiptarë që po tregojnë aftësitë e tyre edhe jashtë vendit. Këto projekte kanë nevojë për krah pune të kualifikuar dhe mbikualifikuar. Sot, në Shqipëri ka një treg pune dhe sektorë konkurrues me Greqinë. Në sektorin e teknologjisë, paga minimale nuk është nën 1500 euro, ndërsa për shoferët, paga minimale është 1200 euro dhe për shoferët e mjeteve të rënda paga arrin deri në 2500 euro,” – u shpreh Rama. Në vijim të fjalës së tij, kryeministri u ndal edhe tek perceptimi negativ që, sipas tij, krijohet për Shqipërinë nga një pjesë e mediave, të cilat ai i cilësoi si “kënetë mediatike”. Ai tha se pavarësisht kësaj fushate dezinformuese, ekonomia shqiptare po rritet, po bëhet më konkurruese dhe po krijon gjithnjë e më shumë mundësi për ata që duan të jetojnë dhe të punojnë me ndershmëri. “Shqiptarët që kanë vizituar këtë panair treguan shumë interes dhe deri tani janë lidhur disa kontrata pune drejtpërdrejt në stendat e kompanive pjesëmarrëse. Ky është shembulli më i mirë se si mund të çajmë perden e rëndë dhe të zymtë të dezinformimit që shpërndahet nga këneta mediatike e Shqipërisë, ku duket sikur vendi ka vetëm lajme të këqija. Ndërkohë, e vërteta është se Shqipëria punon, zhvillon dhe zgjeron ekonominë e saj, duke u bërë më konkurruese dhe më e mirë për ata që duan të ndërtojnë një të ardhme me punë. Nëse i referohemi realitetit ekonomik dhe social, nuk ka asnjë dyshim se sot mundësitë për të bërë biznes dhe për të gjetur punë të mirëpaguara janë rritur, jo ulur,” – nënvizoi Rama./K.K