Pas dy ditëve mbledhje me ministrat dhe socialistët, kryeministri Edi Rama ka mbledhur deputetët mëngjesin e sotëm pak përpara nisjes së Parlamentit.
Në këtë takim Rama ka zbuluar në mënyrë të tërthortë edhe sloganin për zgjedhet e 11 Majit, ku shprehet se me PS Shqipëria shkon në BE, dhe me opozitën në kënetë që do të thotë edhe shkrirjen e SPAK.
“Gjithë kjo lëkundje e madhe tektonike në një botë ku është hapur shtegu për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës dhe ku është vënë në një lëvizje të jashtëzakonshme e gjithë gjeopolitika botërore. Ne jemi shumë të vegjël për të vendosur por ata fati ynë, interesi ynë është shumë i madh për t’u lënë në drejtim të paditur.
Qoftë përsa i përket BE-së, NATO-s dhe prania jonë dhe siguria jonë e brendshme, pozicioni ynë i sigurtë, stabël dhe i palëkundur nga “kua, kua, kuatë…” që nuk mund të jehojnë jashtë kënetës. Nuk ka kapacitete të tjera vec PS-së që mund të flasin me botën. Pa u bërë anëtarë të BE-së mbetet shumë e rëndësishme se kush qeveris në Shqipëri.
Të tjerët janë betuar se do të shkrijnë institucionet e reja të drejtësisë dhe do të neutralizojnë SPAK-un. Kjo mund të bëhet vetëm nga forca, që hallet e tyre me drejtësinë i kanë më të mëdha se lidhjet me interesin kombëtar dhe publik dhe këto forca janë të shpallura dhe i njeh e gjithë bota” tha ai.
Rama, në mbledhjen me grupin parlamentar në Kryesinë e Kuvendit, deklaroi gjithashtu se zgjedhjet e 11 majit kanë një rëndësi më të madhe për vendin sesa të mëparshmet.
“Situata dhe vetë rëndësia, edhe vetë konteksti i këtyre zgjedhjeve, është i pazakontë. Të gjithë ne që jemi këtu dhe gjithë familja politike të vetëdijesohet sa më shumë për rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre zgjedhjeve në një kontekst të jashtëzakonshëm gjeopolitik”, tha Rama.
“Në asnjë prej tyre pesha e gjeopolitikës nuk ka qenë e pranishme siç është në këto zgjedhje. Rezultati i 11 majit ka një peshë të madhe për të ardhmen e vendit, shumë më të madhe se zgjedhjet e mëparshme”, shtoi kryeministri Rama./ S.M