Shpërthimi i një vatre infektimi me sëmundjen e fruthit në Fier dhe disa raste të tjera jashtë kësaj bashkie, tregoi në mënyrë të përsëritur faktin se mosvaksinimi i fëmijëve në kohën e duhur bëhet gjithmonë shkak për këtë situatë. Aktualisht kemi 14 fëmijë të infektuar.
“Rastet janë nga 0-14 vjeç me mbizotërim të moshës 2-4 vjeç. 10 raste i përkasin një kopshti jo publik në Fier, 1 rast po në Fier por pa lidhje epidemiologjike me këtë kopsht, një rast në Vaun e Dejës, një rast në Tiranë dhe një në Lezhë. 9 nga 14 rastet e konfirmuara u gjetën të pa vaksinuar”, tha epidemiologu Artan Simaku.
Aktualisht në Rumani, Serbi, dhe Mal të Zi fruthi po qarkullon në nivele shqetësuese ndaj për shkak të lëvizjeve. ISHP paralajmëron shtimin e infektimeve. Aktualisht mbulesa vaksinale me një dozë është 81% prag ky që nuk parandalon dot infektimet.
“Kemi me mijëra raste në Rumani, shumë raste në Mal të Zi e po kështu edhe në Serbi. Me lëvizjet e popullatës mundësia e infektimit mbetet e lartë dhe kjo sëmundje mund të jetë vdekjeprurëse për të pa vaksinuarit. Vaksinimi duhet të bëhet në kohën e duhur siç edhe rekomandon kalendari, në moshën 12 muajsh dhe 5 vjeç. Aktualisht mbulesa vaksinale e një dozë është 81%, ndërsa ajo me dy doza 92%. Pragu i mbulesës vaksinale që mundëson parandalimin e shpërthimeve duhet të jetë mbi 95%”, tha epidemiologu.
Inspektorati Shëndetësor po intensifikon kontrollet në institucionet parashkollore jo publike për verifikimin e kartelave të vaksinimit të fëmijëve me qëllim identifikimin e kopshteve dhe çerdheve që kanë pranuar fëmijë të pa vaksinuar në kundërshtimin më rregullat./ S.M