Franca po përgatitet të dislokojë forca ushtarake dhe të shtojë ndjeshëm praninë policore përpara protestave të reja të planifikuara për të shtunën, më 24 tetor. Vendimi vjen pas përleshjeve të dhunshme, plaçkitjeve dhe dëmtimeve të shumta që shoqëruan demonstratat e fundjavës së kaluar.
Qeveria franceze synon të angazhojë ushtarë nga operacioni Sentinelle, një strukturë ushtarake e krijuar në vitin 2015 për mbrojtjen e vendeve të ndjeshme ndaj kërcënimeve terroriste.
Sipas ministrit të Brendshëm, Laurent Nuñez, ushtarët do të marrin përsipër kryesisht ruajtjen e objekteve dhe infrastrukturës strategjike, duke u mundësuar policëve dhe xhandarëve të përqendrohen te menaxhimi i protestave dhe ruajtja e rendit publik.
Autoritetet kanë njoftuar gjithashtu se numri i forcave të rendit pritet të jetë 20% më i lartë se gjatë protestave të 17 tetorit.
Presidenti Emmanuel Macron ka paralajmëruar se demonstratat që konsiderohen të paligjshme ose që paraqesin rrezik për rendin publik do të ndalohen. Protestat e organizuara nga sindikatat mund të lejohen, por autoritetet mund të ndryshojnë itineraret e tyre për të mbrojtur qendrat tregtare, bizneset dhe ndërtesat publike.
Në Marsejë dhe Lion janë njoftuar ndalime të protestave të planifikuara për të shtunën.
Vala e pakënaqësisë nisi nga protestat e nxënësve dhe studentëve, për t’u zgjeruar më pas në demonstrata kundër kostos së lartë të jetesës, çmimeve të energjisë dhe përkeqësimit të shërbimeve publike.
Protestat e 17 tetorit u shndërruan në disa prej trazirave më të rënda urbane që Franca ka përjetuar vitet e fundit. Qindra biznese u dëmtuan ose u plaçkitën, ndërsa ndërtesa publike u përfshinë nga flakët.
Trazirat po rëndojnë edhe mbi ekonominë franceze. Pasiguria politike dhe shqetësimet për financat publike kanë ndikuar në tregun e obligacioneve, ndërsa sektori i turizmit dhe aktivitetet tregtare po përballen me anulime dhe ndërprerje.
Kostoja e huamarrjes dhjetëvjeçare të Francës arriti në 5,14%, niveli më i lartë që nga korriku i vitit 2002, sipas Reuters.
Për qeverinë e Macron, sfida është të shmangë përsëritjen e dhunës pa cenuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar. Fundjava e ardhshme pritet të jetë një provë e rëndësishme për aftësinë e autoriteteve për të kontrolluar situatën, në një klimë gjithnjë e më të tensionuar politike dhe ekonomike./ REUTERS-ad
