Last Updated on 21/04/2025 by adminfjala
Është bërë publik testamenti i Papa Françeskut, i shkruar në vitin 2022, ku ai ka lënë udhëzimet e tij të qarta për çfarë duhet ndodhur pas vdekjes. Sipas dëshirës së tij, Papa kërkon të varroset në Bazilikën Papnore të Santa Maria Maggiore, një nga kishat më të dashura për të në Romë.
Vendndodhja specifike e varrit është në një zonë anësore të navatës, midis Kapelës Paoline (ku ndodhet ikona e famshme Salus Populi Romani) dhe Kapelës Sforza. Në testament thuhet qartë.
“Varri duhet të jetë në tokë; i thjeshtë, pa zbukurime të veçanta dhe me një mbishkrim të vetëm: Franciscus.”
Papa Françesku ka lënë të përcaktuar edhe financimin e varrimit, duke theksuar se shpenzimet do të mbulohen nga një shumë e dhuruar nga një bamirës, që ai vetë ka urdhëruar të transferohet pranë Bazilikës dhe për të cilën ka dhënë udhëzime të posaçme Monsinjor Rolandas Makrickas, Komisioner i Jashtëzakonshëm i Kapitullit Liberian.
Në përmbyllje të testamentit të tij, Papa shkruan me përulësi dhe shpresë:
“Zoti u dhëntë shpërblimin e merituar atyre që më kanë dashur dhe që do të vazhdojnë të luten për mua. Vuajtjen që më ka shoqëruar në pjesën e fundit të jetës sime ia kam ofruar Zotit për paqen në botë dhe për vëllazërimin ndërmjet popujve.”/e.t