Bomba bërthamore e Shqipërisë!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lutfi Dervishi

Nëse mendojmë se problemet që kemi janë korrupsioni, papunësia, zgjedhjet e kontestuara, uji i (pa)pijshëm, mungesa e drejtësisë apo largimi i trurit, po injorojmë dramën që po gërryen themelet e vendit: plakjen e popullsisë.

Sipas të dhënave më të fundit, vendi ka hyrë zyrtarisht në listën e 11 vendeve më të plakura të Europës. Mosha mesatare sot është 44.3 vjeç, ndërkohë që në 2010 ishte 31.9. Ritmi i moshimit është i jashtëzakonshëm: 12.4 vite në vetëm 14 vjet, katër herë më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së.

Në një kontinent që vetë po lufton prej dekadash me plakjen, Shqipëria nuk është se vetëm po plaket… por po zbrazet. Nuk po zbrazët vetiu.

Presidenti francez Charles de Gaulle thoshte dikur: “Demografia bën historinë, dhe jo e kundërta.” E nëse historia është udhërrëfyesi ynë, atëherë ne jemi duke ndjekur një kurs që s’na çon drejt BE-së, por drejt një zbrazëtie me pasoja fatale. Nje shtëpi që nuk merr frymë brehet.

Kush do të paguajë pensionet?
Kush do të mbajë gjallë sistemin shëndetësor?
Kush do të punojë tokën, të hapë biznese, të mbajë gjallë gjuhën, qytetet, lagjet?
Kush do të votojë? Kush do të sigurojë të ardhmen, vijimësinë? Dhe më e rëndësishmja: kush do të na përfaqësoje?

Nëse demokracia funksionon mbi parimin e përfaqësimit, atëherë në mungesë të rinjve, do të kemi një sistem që punon për të moshuarit. Shenjat janë të qarta: në fushatë premtimi kryesor ishte rritja e pensioneve.
Jemi kthyer në një vend ku shumica e brezit të pensionistëve vendos për të ardhmen e brezit të ri.

Në vend të çerdheve, kopshteve e shkollave, do të flasim gjithnjë e më shumë për ndertimin e azileve.

Dhe do të përfundojmë shumë shpejt në gerontokraci (pushteti i pleqve)

Kjo krizë është sociale, ekonomike dhe politike. Por çuditërisht, kriza nuk artikulohet. Asnjë sociolog, asnjë demograf, asnjë profesor i universitetit nuk po e ngre zërin siç duhet. Ministritë heshtin. Akademia e Shkencave hesht. Edhe biznesi, që do të duhej të ishte në alarm për mungesën e fuqisë punëtore, po sillet sikur gjithçka do të zgjidhet me ndonjë tender a PPP për të sjellë emigrantë nga Azia.

Lexo edhe :  Jam shkrimtare nga Ballkani. Pse njerëzit supozojnë se di vetëm për luftë e tragjedi?

Kjo nuk është thjesht mungesë vëmendjeje, është tentativë vetëvrasje kolektive. Rastësi?

Nëse plakja është e pandalshme, braktisja mund të ndalet. Në vend të një politike e propagande të bazuar në projeksione dhe llogari statistikore, për numrin e turistëve që rritet krahasuar me 2013, kemi nevojë për një shkundje shoqërore dhe politike.

Një pakt kombëtar për ripërtëritje demografike, me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve; shtetit, shoqërisë civile, universiteteve dhe biznesit i shoqëruar me politika sociale për rikthimin e emigrantëve të rinj dhe për stimulin e lindshmërisë do të ishte një fillim i mirë. Politikat e Hungarisë në këtë drejtim (apo çdo vendi që ka sukses në këtë fushë) duhen qëmtuar e zbatuar pa humbur kohë. Bonusi i bebeve duket se nuk dha rezultatet që priteshin.

Modeli i zhvillimit: gjithë Shqipëria në Tiranë po zbraz qytete e fshatra. Është prishur ekuilibri demografik i vendit. Është e domosdoshme rivendosja e dinjitetit të jetës në vend, në qytete dhe sidomos në fshat. Kjo nënkupton zhvillim të qëndrueshëm dhe jo fasada dhe shifra me milionë turistë që vizitojnë vendin.

Nëse vendi vijon të plaket me këtë ritëm dhe me këtë heshtje, atëherë nuk kemi më së çfarë të ardhme të planifikojme. Viti 2030 rrezikon të na gjejë më bastun “drejt BE”, nëse ajo do të jetë ende në këmbë.

Sot nuk na mungojnë shifrat. Shifrat po ulërasin, por mungon zëri.
Është paradoks që një vendi që shurdhohet nga propaganda, i mungon klithma për jetën.

Ndoshta për herë të parë pas shumë dekadash, armiku më i rrezikshëm i Shqipërisë nuk është korrupsioni, por ora biologjike.
Tre dekada kryefjala ka qenë “demokracia”, tani është: “demografia”, nesër do të jetë asfiksia?/kb

Të fundit

Vrasja e Anesti Ramës në Fier, mbërrijnë në gjykatë tre të akuzuarit

Sapo kanë mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, tre të akuzuarit si bashkëpunëtorë të...

“Nuk ka uri në Gaza” Trump presion Netanjahut: Duhet të merrni një vendim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Tel-Avivin, se “Izraeli do të duhet të marrë një vendim” për Gazën, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu mohoi se...

Zbulohen eshtrat e Njeriut të Kennewick, nga skeletet më të vjetra në Amerikën e Veriut

28 korrik 1996 Më 28 korrik 1996, në brigjet e lumit Columbia pranë qytetit Kennewick në shtetin Washington të SHBA-së, u zbuluan mbetjet kockore të...

Tragjedi në det/ Mbytet trageti me mbi 100 persona, 13 viktima dhe dhjetëra të zhdukur

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra rezultojnë ende të zhdukur pas përmbysjes së një trageti me rreth 100 pasagjerë në shtetin...

Rithemelim, rikthim dhe revolucioni vazhdon!

Nga Alban Daci Kriza dhe serioziteti i një subjekti politik kuptohet nga dialektika që përdor dhe kjo e fundit ndërtohet mbi bazën e supozimeve ose...

Lajme të tjera

Web TV