Avokati Arbër Hoxha thotë se gjykimi për dosjen “Partizani” do të zgjasë.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Hoxha u shpreh se ish kryeministri Sali Berisha do e zvarrisë procesin.
Hoxha shtoi se Berisha është komod me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, nisur edhe nga mosha e tij, ndaj ka si strategji që ta vonojë procesin.
“Është e drejtë procedurale e zotit Berisha, të paraqitet apo jo, përderisa ka caktuar një avokat. Ishte diçka e pritshme, duhet të presim nga ana e zotit Berisha, një zvarritje të procesit gjyqësor. Mund të vrapojë, por nuk mund t’i fshihet drejtësisë. A kemi një konflikt mes relatores, kërkesa për dorëheqje a do të miratohet? Besoj se do të merret në konsideratë nga zoti Bani. Nëse do të pranohet, do të hidhet çështja sërish në short. Patjetër që do të zgjasë, në kushte krejt normale dhe jo normale për zotin Berisha, që ka zgjedhur strategji për ta vonuar sa më shumë. Zoti Berisha, duke qenë me masë sigurimi “detyrim paraqitje” nuk ka ngut për të pasur një proces të shpejtë gjyqësor. Krejt e ndryshme është situata për mbrojtjen e zotit Malltezi. Ai ka interes më të madh për ta përfunduar procesin gjyqësor se zoti Berisha. Është komod me masën që ka, mosha e tij e thyer, por edhe përballja me drejtësinë. Gjykimi do marrë formë të prerë kur ta miratojë Gjykata e Apelit. Ky është këndvështrimi im personal.”, theksoi ai./kb