Last Updated on 07/07/2025 by adminfjala
Nga ERVIN BAKU
Nesër, e Martë, 8 Korrik dhe të Enjten, 10 Korrik, skuadrat shqiptare debutojnë në Kupat e Europës së UEFA-s, sezoni 2025-2026. Shorti, në letër, mund të duket dhe është në fakt i favorshëm. Por historia na mëson që në Europë nuk ka më emra të vegjël. Europa nuk fitohet me “letër”, fitohet me karakter, disiplinë dhe gjakftohtësi. Sa herë na ka përgjumur ky iluzion i “shortit të lehtë”? Dhe sa herë jemi zgjuar me zhgënjim? Çdo ndeshje kërkon përgatitje serioze, përqendrim maksimal dhe respekt për kundërshtarin. Nuk duhet nënvlerësuar asnjë minutë e lojës. Sepse nëse nuk shkon në Europë me kokën ulur dhe zemrën ngritur, Europa të ndëshkon pa mëshirë! T’i marrim tri skuadrat me radhë…
Egnatia vs Breidablik
Tani fillon beteja e vërtetë!
Egnatia është në një pikë historike. Ajo nuk është më surprizë, por kampione! Kampione e madhe! Forca e parë e futbollit shqiptar! Tani nuk ka ku të fshihet. Asnjë epitet, asnjë trofe i fituar në Shqipëri nuk ka vlerë në Europë, nëse nuk përkthehet në personalitet ndërkombëtar.
Kujdes, kundërshtarët mund të duken modestë, por Europa nuk të fal nëse futesh në fushë me mendjen në “superioritetin teorik”. Egnatia duhet të tregojë se ka urinë dhe pjekurinë për të kapërcyer një pengesë që është më e rrezikshme se duket. Një pengesë kalimi i së cilës do ta çonte me shumë mundësi në grupet e Konferencë Ligës.

Vllaznia vs Daugavpils
Non-sens total, Vllaznia pa “Loro Boriçin”!
Është absurde. Është e pafalshme. Është antikombëtare! Vllaznia, skuadra më e vjetër në Shqipëri, krenaria e Shkodrës, luan Europën në Elbasan dhe jo në shtëpinë e vet në “Loro Boriçi”!
Në vend që qyteti të gumëzhinte nga emocionet e Europës, tifozët duhet të udhëtojnë në Elbasan, ndërsa stadiumi modern qëndron bosh. Kjo është paaftësi. Mungesë vizioni. Mungesë respekti për ekipin, për qytetin dhe për historinë që mbart kjo fanellë.
Vllaznia ka potencialin për t’ia dalë. Duhet të japë gjithçka në 180 minuta lufte. Duhet të luftojë çdo sekondë, si të ishte e fundit.
Kalju vs Partizani
Kujdes, krenaria nuk mjafton!
Partizani është emër, është histori, është fanellë e rëndë. Por Europa nuk impresionohet nga lavdia e djeshme. Aty gjithçka nis nga zero. Dhe çdo gabim të kushton eliminim! Nuk duhet ta nënvlerësojë rivalin, sepse ai ka vetëm një mision: T’i rrëzojë. Dhe do të bëjë gjithçka për këtë. Nëse Partizani do të jetë “Dem” i vërtetë, duhet të luftojë si kurrë më parë. Me krenari, por edhe me përulësi sportive!
I uroj, me shpirt, sukses të plotë klubeve tona! Për Dinamo City-n, që do e nisë nga turi i dytë rrugëtimin e saj europian, do të shkruaj kur të vijë momenti i duhur.