Last Updated on 21/07/2025 by adminfjala
Këtë të hënë, 21 korrik, kryeministri Edi Rama iu rikthye rubrikës së tij virtuale “Sy m’Sy”. Komunikimin me qytetarët e nisi me aksionin më të fundit me urdhër qeverie, atë të lirimit të hapësirave publike.
Në përgjigje të të gjitha aludimeve për kohën kur u vunë në zbatim këto masa në Tiranë e më gjerë, Rama theksoi se “ishte kërkesa e komunitetit në të katër anët”.
Ai sqaroi se gjatë fushatës elektorale, si pjesë e skuadrës për kryeqytetin, arriti të shohë qartazi të gjitha problematikat në terren, pa harruar transformimet pozitive.
Megjithatë sipas tij, “ky çlirim i madh” ishte një dosmosdoshmëri duke parë se sa shumë ishin zgjeruar në hapësirat e të gjithëve, njësitë e shërbimit.
Monitorim me dronë
Paralajmëroi edhe monitorim me dronë, në kuadër të këtij operacioni.
“Kemi pjesë të këtij plani pune edhe monitorimin e shkollave, por jemi në një proces për të nisur edhe monitorimin teknologjik, të strukturuar, të territorit. Do ndjekim gjithçka ndodh në territor përmes dronëve dhe informacioni të marrë nga dronët, gjë që do të bëjë që puna e inspektorëve dhe syve në terren të ballafaqohet me vëzhgimin e teknologjisë”, deklaroi ai.
Transformim i Tiranës
Paralajmëroi një “rinovim” të Tiranës, duke thënë se mandati i katërt do të sjellë rilindjen urbane në një nivel tejet të avancuar.
“Kemi riorganizuar tërësisht veten, duke vënë deputetët në një pozicion edhe më kërkues sa i përket për të identifikuar problemet në territoret e kujdestarisë së tyre”, tha ai.
“Rilindja urbane 2.0 në mandatit e katërt. Hapësira publike të kualifikuara me një rrjet arkitektësh të njohur, shqiptarë e të huaj. Janë 60 arkitektë lokalë që janë angazhuar në tetë grupe pune në Tiranë. Tirana ka nevojë të ngjitet në një nivel tjetër të hapësirave publike, të kulturës urbane, të cilësisë dhe estetikës së shërbimeve”, shtoi kryeministri./kb