Last Updated on 31/07/2025 by adminfjala
Drejtuesi politik i PD në Shkodër, Luçiano Boçi, ka reaguar përmes rrjeteve sociale në lidhje me statusin që publikoi një ditë më parë kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, për dy aktorët e pushuar nga puna në “Teatrin Migjeni”. Benet Beci tha se aktori Simon Shkreli dhe regjisori Vladimir Doda, nuk janë pushuar nga puna padrejtësisht siç pretendojnë dy të fundit, por për shkak të mospërmbushjes së pritshmërive dhe objektivave të sezoneve teatrale. Referuar kësaj deklarate, Luçiano Boçi shprehet me ironi se Beneti “Oksfordian” i mat aktorët me litra rolesh dhe kilogramë dramë. Boçi thekson se reagimi i Becit i ngjan një raporti partie më shumë se sa një analize kulturore.
Luçiano Boçi thekson se kjo mënyrë të menduari si Benet Beci nuk është gjë tjetër veçse një rikthim i metodave të realizmit socialist, ku edhe poezia kishte plan, recitimi kishte kuotë dhe spektatori duhej të qante në skenën e pestë.
Në fund, Boçi e mbyll reagimin e tij duke thënë se ajo që Beneti shfaq me këtë gjuhë të përçudnuar është një krizë thelbësore e të kuptuarit të artit dhe kulturës, ku administratori e sheh veten si “kontroll performance” dhe jo si mbështetës i shpirtit të lirë. “Benet, kultura nuk matet me normë. Aktori nuk është sahat dhe skena nuk është linjë montimi.”-shkruan Boçi. m.p.