Last Updated on 08/08/2025 by adminfjala
Pamjet që shihni në këtë artikull janë sasitë e mëdha të kokainës që janë trafikuar në Europë nga grupi shqiptar, i cili kishte kontakte direkt me prodhuesit në Amerikën Latine. Bëhet fjalë për një sasi 16.4 tonë që i përkiste grupit shqiptar të goditur sot nga SPAK.
Zyrtarët gjermanë zbuluan 16 ton në pesë kontejnerë transporti që kishin mbërritur në portin e Hamburgut nga Paraguai në 24 shkurt 2021. Kokaina ishte fshehur në kanaçe me mbushës muresh (stuko), të cilat kishin hyrë në Evropë me një anije kontejnerësh nga Paraguai.
Zyrtarët e doganës vendosën t’i shqyrtonin nga afër kontejnerët paraguaianë pasi vunë re “parregullsi të qarta” me disa nga përmbajtjet – kanaçe prej kallaji që ishin menduar të mbusheshin me stuko. “Përtej një shtrese mallrash origjinale, të paketuara menjëherë pas derës së kontejnerit, kanaçe të shumta prej kallaji ishin në fakt të mbushura me mallra të tjera”, thanë zyrtarët.
Hetuesit më pas urdhëruan shkarkimin e kontejnerëve dhe gjetën kokainë të fshehur në më shumë se 1,700 kanaçe.
“Kjo është sasia më e madhe e kokainës së sekuestruar ndonjëherë në Evropë dhe një nga sekuestrimet më të mëdha të vetme në të gjithë botën”, thanë doganat gjermane, duke iu referuar vetëm ngarkesës së Hamburgut. m.p.
