Last Updated on 08/08/2025 by adminfjala
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk ka deklaruar sot se mundësia për një “ngrirje” të konfliktit ushtarak mes Rusisë dhe Ukrainës është më afër se sa është menduar.
Këto komente u bënë pas një bisede që ai zhvilloi me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
“Ka disa sinjale, dhe një ndjesi personale, që ndoshta do të kemi një ‘ngrirje’ të konfliktit. Nuk dua të them se lufta do të marrë fund, por një ‘ngrirje’ e situatës mund të ndodhë më shpejt nga sa mendohej”, – tha Tusk në një deklaratë për mediat.
Sipas tij, edhe Presidenti Zelenskyy ndan një qasje optimiste për një armëpushim të mundshëm, megjithëse mbetet i kujdesshëm në deklaratat e tij.
“Ka një shpresë për këtë. Sot është afati i një ultimatumi. Presidenti Zelenskyy është shumë i kujdesshëm, por gjithsesi optimist. Pala ukrainase ka një interes të madh që Evropa, përfshirë Poloninë, të jetë pjesë aktive në formësimin e një armëpushimi të mundshëm dhe më pas të paqes. Edhe ne jemi shumë të interesuar për këtë, sepse paqja në rajon do të ndikonte drejtpërdrejt në sigurinë tonë”, – theksoi Kryeministri polak. m.p.
