Last Updated on 10/09/2025 by adminfjala
Zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK-ut mund të krijojë probleme brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili pas një jave hap garën për pasardhësin e Altin Dumanit.
Tre vjet më parë, në një proces të tensionuar, që arriti kulmin me replikat publike mes kryeministrit dhe ambasadores amerikane, zoti Dumani, mori shumicën e votave të KLP-së, 5 nga 11 të pranishëm.
Një proces që u krye në praninë e pazakontë të ambasadores amerikane të kohës, Yuri Kim. Por, pas gati tre vitesh, po vlerësohet që rregullorja për votimin e kryeprokurorit të radhës të rishikohet dhe dilema lidhet shpalljen si fitues të pretendentit që merr më shumë vota.
Gara hapet në 18 shtator dhe njëri nga anëtarët kërkon që rregullorja për mënyrën e votimit të jetë ndryshe. Siç bëjnë me dije burimet e TCH , anëtari i KLP-së, Erind Mërkuri, ka kërkuar saktësimin e termit “shumica’ që vendos sipas rregullores drejtuesin e SPAK.
Top Channel ka mësuar se zoti Mërkuri, i zgjedhur vjet nga radhët e avokatëve, ka kërkuar ndërhyrjen e KLP mbi numrin e saktë të votave që certifikojnë kreun e ri të SPAK-ut, gjë e cila mund të sjellë në perspektivë votimin në disa raunde derisa të bëhet shumica e kërkuar.
Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se ndonëse propozimi nuk është kaluar ende në seancë, ka krijuar ndarjet e para në KLP, që edhe pa këtë propozim, duhet të jetë nën presion të dukshëm dhe të padukshëm për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut. m.p.
