“Rreziku i “fshatit politik” dhe sfida e qeverisë së re”

Klevis Bakillari

Një nga paradokset është se Edi Ramës nuk i duhet më të afrojë kundërshtarët. Pushteti i gjatë, i madh dhe i padiskutueshëm i bën vetë ata t’i afrohen vetë. Në kushtet ku horizonti politik është i mbushur me një forcë të vetme, opozitarët, vështirë të luftojnë për alternativa,por do të gjejnë më të leverdisshme të kërkojnë strehë brenda kampit të fitimtarit. Ky është një refleks i njohur në shoqëritë me institucione në konsolidim e sipër: pushteti i fortë kur bie në kontakt me oportunizmin,nuk prodhon sfida, por besnikë të rremë.

Në këtë panoramë, Shqipëria rrezikon të kthehet në një “fshat politik”, ku të gjithë i shkojnë një dere të vetme, jo nga bindja, por nga oportunizmi. Dhe oportunizmi është ndoshta fenomeni më i theksuar i tranzicionit shqiptar. Kur karriera, posti apo interesi personal peshojnë më shumë se ideologjia dhe morali politik, atëherë pluralizmi nuk ka më kuptim. Ai reduktohet në fasadë: ngjyra të ndryshme që në thelb ushqejnë të njëjtin pushtet.

Me shpalljen e qeverisë së re, ky rrezik do të bëhet edhe më i dukshëm. Një pjesë e ish figurave të djathta, militantë apo ish-drejtues të Partisë Demokratike, të lodhur nga qëndrimi i pafund në opozitë,do të shfaqen të gatshëm,siç kanë nisur tanimë, të gjejnë strehë tek pushteti. Ky fenomen nuk është thjesht individual, por simptomë e një terreni politik ku lodhja dhe oportunizmi bashkohen për të ushqyer një pushtet të vetëm.

Por “fshati politik” nuk është i pashmangshëm. Përkundrazi, ai mund të kthehet në një sfidë pozitive për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Sfida është e qartë: si të mos e shndërrojnë pushtetin e madh në një magnet oportunistësh, por në një model qeverisjeje që i jep frymë konkurrencës politike dhe e mban gjallë pluralizmin. Nëse PS arrin të ruajë hapësirën për zëra të ndryshëm, të respektojë institucionet dhe të krijojë kushte konkurrueshmërie, atëherë rreziku i “fshatit politik” mund të shndërrohet në një mundësi për forcimin e demokracisë.

Lexo edhe :  Ca budallenj të Kosovës kërkojnë flamur në stadium

Shqipëria s’ka nevojë të bëhet një fshat politik ku të gjithë trokasin në një derë të vetme. Ajo ka nevojë të bëhet një qytet politik – me shumë rrugë, shumë dritare dhe shumë zëra. Pushteti i gjatë është një provë e rëndësishme, por prova më e madhe është kjo: të mos lejohet që shoqëria shqiptare të ngushtohet në një hapësirë të vetme politike, e shtyrë nga oportunizmi. Nëse qeveria e re do ta kuptojë këtë, ajo nuk do të ketë bërë thjesht një mandat tjetër, por një shërbim historik për të ardhmen demokratike të Shqipërisë.