Shkrimtari tërhiqet nga postimi për Charlie Kirk pas kritikave

Shkrimtari i njohur Stephen King ka kërkuar publikisht falje, pasi akuzoi gabimisht aktivistin konservator Charlie Kirk për mbështetje ndaj dënimit me gurë të homoseksualëve, një deklaratë që më pas rezultoi e pavërtetë.

Postimi i King në platformën X (ish-Twitter), i cili u fshi shpejt pas publikimit, kishte arritur mbi 13 milionë shikime dhe shkaktoi një reagim të fortë nga figura politike republikane, përfshirë senatorin Ted Cruz dhe komentatoren Laura Ingraham, të cilët e quajtën King “gënjeshtar” dhe “të papërgjegjshëm”.

Shkrimtari 77-vjeçar pranoi se kishte shpërndarë “informacione të pavërteta” pa i verifikuar.

Në reagimin e tij, King sqaroi:

“Kërkoj ndjesë që thashë se Charlie Kirk mbështeste vrasjen me gurë të homoseksualëve. Ai në fakt po tregonte sesi disa njerëz zgjedhin me kujdes pasazhe biblike.”
Kontroversia ndodhi vetëm dy ditë pas vrasjes së Charlie Kirk, i cili u qëllua për vdekje gjatë një fjalimi në Universitetin Utah Valley. Tyler Robinson, 22 vjeç, është arrestuar si i dyshuar për sulmin.

Kirk, 31 vjeç, ishte një figurë e njohur konservatore dhe themelues i organizatës Turning Point USA, si dhe një mbështetës i afërt i Donald Trump. Ai la pas gruan dhe dy fëmijët.

Ndërsa republikanët reaguan me deklarata përkujtimore dhe theksuan kontributin e Kirk në politikën e djathtë, demokratja Ilhan Omar refuzoi të bashkohej me mesazhet ngushëlluese, duke theksuar se “veprimet dhe fjalët e tij janë të dokumentuara”.

Ndërkohë, Barack Obama dënoi dhunën në përgjithësi, dhe King e shpërndau deklaratën e tij me komentin: “Gjithçka është në rregull”. m.p.