Last Updated on 16/09/2025 by adminfjala
Më 16 shtator 1920, në qytetin e New York-ut, ndodhi një nga aktet më të mëdha terroriste të fillimshekullit XX në SHBA: i njohur si Bombardimi i Wall Street-it. Një karrocë e mbushur me eksploziv u shpërthye në qendër të zonës financiare amerikane, përpara selisë së bursës dhe Bankës së Rezervës Federale. Nga shpërthimi humbën jetën 38 persona dhe mbi 150 të tjerë u plagosën, shumë prej tyre punonjës dhe kalimtarë të zakonshëm.
Hetimet e kohës nuk arritën të çonin në ndonjë dënim konkret, por autoritetet dyshuan fort se pas sulmit qëndronin anarkistët italianë të grupit të Luigi Galleanit, një lëvizje radikale që përdorte shpesh bombat si mjet proteste. Ky grup kishte shprehur pakënaqësi të thella ndaj sistemit kapitalist amerikan, duke denoncuar shfrytëzimin e klasës punëtore, mohimin e të drejtave të sindikatave dhe represionin shtetëror ndaj emigrantëve.
Bombardimi i Wall Street-it pati një ndikim të madh në opinionin publik amerikan. Ai shënoi një nga momentet kulmore të tensioneve sociale të periudhës, kur frika nga “Red Scare” (rreziku komunist e anarkist) përhapej gjerësisht në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse autorët nuk u identifikuan kurrë me prova të pakundërshtueshme, sulmi mbeti një simbol i përplasjes mes kapitalizmit të Wall Street-it dhe lëvizjeve radikale të kohës.
Përgatiti: L.Veizi
