Last Updated on 23/09/2025 by adminfjala
Partia Demokratike ka deklaruar se do të mbështesë shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Në një deklaratë të fortë gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak, këshilltari opozitar Dorian Teliti i bëri thirrje këshilltarëve socialistë që të ngrihen në lartësinë e detyrës pas shtatë muajsh mungesë reagimi ndaj situatës në kryeqytet.
“Po ngriheni në lartësinë e detyrës, keni 7 muaj që i keni munguar kësaj lartësie. Kjo i ka kushtuar Tiranës shumë. Ky është një akt historik”, tha Teliti.
Ai theksoi se bashkimi i votave për këtë vendim nuk është një marrëveshje politike, por një domosdoshmëri për qytetin.
Sipas Telitit, shkarkimi i Veliajt nuk duhet të vijë vetëm për mungesën 90-ditore në detyrë, por për “krimet ekonomiko-financiare” dhe “braktisjen” e Tiranës.
“E ka kthyer Tiranën në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave”, deklaroi ai.
Këshilltari demokrat shtoi se ky vendim nuk është i plotë, por do të marrë votën e opozitës, si pjesë e një kërkese të qartë politike. Ai shprehu zhgënjimin që Veliaj nuk ishte i pranishëm në mbledhje, duke e akuzuar për mungesë kuraje për t’u përballur me akuzat.
“Gjyqin e vet do ia bëjë Gjykata, ama duhej të ishte sot këtu në të drejtën e tij kushtetuese dhe të jepte variantin e tij. T’ia thoshim në sy të vërtetat therëse e kriminale që i ka shkaktuar këtij kryeqyteti”, përfundoi Teliti. m.p.
