Last Updated on 24/09/2025 by adminfjala
Kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur këtë pasdite ministrat dhe deputetët e PS-së në Tiranë një ditë pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi propozimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra.
Edi Rama u shpreh se Tirana s’mund të qëndrojë më pa një kryetar dhe banorët e kryeqytetit s’mund të bashkëjetojnë me një bashki kokëkëputur.
“Tema jonë si palë e përgjegjshme në jetën e këtij vendi është një histori drejtësie plot pikëpyetje që s’dihet sa do zgjasë të mos e marrë peng pafundësisht kryeqytetin dhe punët e tij.
Tirana nuk mund të gdhihet dhe ngryset si trup pa kokë dhe qyterarët nuk mund të bashkëjetojnë me një bashki kokëkëputur.”-tha Rama.
Ditën e nesërme në orën 12:00 pritet të mblidhet Këshilli i Ministrave, i cili do të vulosë për fatin e Erion Veliajt. Kujtojmë se një ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës, votoi propozimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra. Ky i fundit ndodhet në qeli prej 10 shkurtit ndërsa 13 akuza rëndojnë ndaj tij. M.P.
