400 milionë dollarë në lojë! Trashëgimia e Michael Jackson përballet me padinë e bujshme

Trashëgimia e ikonës së pop-it, Michael Jackson, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas zhvillimeve të fundit ligjore që po tronditin pasurinë e tij dhe familjen.

Wade Robson (43 vjeç) dhe James Safechuck (47 vjeç), dy burra që më parë kanë akuzuar Jackson-in për abuzim seksual gjatë fëmijërisë, tani po kërkojnë një dëmshpërblim prej 400 milionë dollarësh.

Sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura më 15 shtator 2025, kjo shifër e lartë ka intensifikuar përplasjet ligjore që përfshijnë jo vetëm pasurinë e Jackson-it, por edhe vajzën e tij, Paris Jackson, e cila raportohet se është kundër përdorimit të fondeve të trashëgimisë për të përballuar shpenzimet gjyqësore.

Paditësit kanë dalë për herë të parë publikisht me akuzat e tyre në dokumentarin e debatueshëm të HBO-së, “Leaving Neverland” (2019). Wade Robson ngriti padinë fillimisht në vitin 2013 ndaj kompanive MJJ Productions Inc. dhe MJJ Ventures Inc., duke pretenduar se ishte abuzuar nga mosha 7 deri në 14 vjeç. James Safechuck ka deklaruar se ishte viktimë e Jackson-it që në moshën 10-vjeçare, pas njohjes gjatë xhirimeve të një reklame për Pepsi, dhe ka ngritur padinë një vit më pas, në 2014.

Trashëgimia e Michael Jackson-it ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i quajtur paditë “të pabaza”, por ekzekutorët e pasurisë, John Branca dhe John McClain, paralajmërojnë në dokumentet ligjore se mosmbulimi i shpenzimeve gjyqësore mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin financiar të trashëgimisë.

Kjo zhvillim rikthen në qendër të debatit akuzat e vjetra që ende ndajnë opinionin publik, duke treguar se çështjet ligjore që lidhen me figurën e Michael Jackson-it nuk kanë përfunduar ende./e.t