Last Updated on 27/09/2025 by adminfjala
NASA po përshpejton përpjekjet për t’u rikthyer në Hënë përpara Kinës, si dhe synon ta çojë përpara nisjen e misionit Artemis II (i planifikuar më parë për në prill 2026), që në muajin shkurt. Misioni do të ketë katër astronautë që fluturojnë rreth Hënës. Kapsula Orion për Artemis II është emëruar Integrity, siç edhe njoftuan katër astronautët gjatë një konference për shtyp të NASA-s.
Eshtë traditë që emri i një anijeje të re kozmike me njerëz, të zgjidhet nga astronautët e parë që hipin në të. Në këtë rast, ishin komandanti Reid Wiseman, piloti Victor Glover dhe specialistët e misionit, Christina Koch e Jeremy Hansen (tre astronautët e parë të NASA-s, me të katërtin që përfaqësonte Agjencinë Hapësinore Kanadeze).
“Emri Integrity mishëron parimet e besimit, respektit, ndershmërisë dhe përulësisë, që karakterizojnë ekuipazhin e shumë inxhinierë, teknikë, shkencëtarë, planifikues dhe ëndërrimtarë të nevojshëm për suksesin e misionit”, shpjegoi NASA në një deklaratë.
Gjithashtu, emri i bën homazh përpjekjes së gjerë e të integruar, nga më shumë se 300 mijë komponentë të anijeve kozmike deri te mijëra njerëz në mbarë botën që duhet të bashkohen për të udhëtuar drejt Hënës e anasjelltas, për të frymëzuar botën dhe hartuar kursin për një prani afatgjatë në Hënë.-kb