Shehaj: Opozita nuk ka luksin të vendosë veto/ “Godet” Flamur Nokën

Në një konferencë për shtyp ditën e sotme, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, theksoi se partia e tij nuk do të hyjë në negociata me Partinë Demokratike apo partitë e tjera opozitare nëse kërkesa e tyre është thjesht mbështetje për një kandidat të partive të tyre. Sipas Shehajt, kushti i vetëm për të negociuar është zgjedhja e një kandidati jashtë politikës.

Duke komentuar përjashtimin që Flamur Noka i bëri Arlind Qorit dhe Lëvizjes Bashkë nga negociatat, Shehaj u shpreh se partia më e madhe e opozitës nuk është në pozicionin për të vendosur se kë duhet përjashtuar.

“Nëse duam të zgjedhim një kandidat jo të korruptuar në Bashkinë e Tiranës, duhet t’i shtrijmë dorën të gjithëve. Nuk e shoh të arsyeshme të themi këta jo, këta po – Qorit, Lapajt, Shabanit, të gjithë pa përjashtim. Opozita nuk ka luksin të vendosë veto,” tha Shehaj.

Ai shtoi se aktualisht opozita nuk është në gjendje të zgjedhë një kandidat me konsensus, duke theksuar se kjo nuk është fryma dhe zgjidhja që duhet ndjekur.

Ky qëndrim i Partisë Mundësia vjen ndërsa po afrojnë zgjedhjet lokale në Tiranë dhe debatet për një kandidat opozitar të përbashkët mbeten të hapura.