Last Updated on 23/08/2026 by Monika
Kryeministri Edi Rama u ndal sot përmes një video-postimi në rrjetet e tij sociale te takimi i sotëm në Pogradec me drejtuesit politikë socialistë.
Siç u shpreh Rama, fokusi i diskutimeve ishin dokumentet strategjike ‘Besa’ dhe ‘Prania Besnike’, ndërsa u mblodhën edhe një sërë reflektimesh nga pushimet para nisjes së sezonit të ri politik.
Po ashtu, kreu i qeverisë prezantoi për herë të parë “Pasqyrë Albania”, një platformë që do të shërbejë si një lidhje mes qytetarëve dhe shtetit, përmes së cilës, puna e qeverisë dhe institucioneve do të shihet me lupë.
“Nga Pogradeci, kur Dielli po perëndon mbi liqen, aty ku Lasgushi gjente frymëzimet e veta magjepsëse dhe aty ku ne u përpoqëm të mbledhim së bashku reflektimet e një periudhe pushimesh aktive, të lidhur me sezonin e ri politik, kemi diskutuar për “Besën”, kemi diskutuar për praninë besnike; kemi diskutuar për ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë, jo në kuptimin thjesht të komunikimit publik, por të komunikimit me qytetarin; kemi diskutuar edhe për pasqyrën unike, “Pasqyrë Albania”, ku qytetarët do të kenë të pranishme të gjitha institucionet dhe ku ambicia është që, më herët se vonë, të arrijmë pikën që çdo kërkesë, çdo shqetësim, çdo hall i qytetarit drejtuar institucioneve të jetë si një pako postale, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi dhe, nga ana tjetër, shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë”,-tha Rama./mxh
