Serbia është më shumë se një sfidë e radhës për Shqipërinë, është një sfidë që e pret pa durim i gjithë populli kuqezi, është një ndeshje jetike brenda dhe jashtë fushe. Në tavolinë nuk është vetëm prestigji i një kombi, por luhet edhe e ardhmja në kualifikueset e Botërorit, një ndeshje e cila pritet të përcaktojë jo pak në lidhje me vendin e dytë në Grupin K. Përpara kësaj fundjave dukej se gjithçka po shkonte në mënyrë perfekte, me legjionarët që po kalon një periudhë fantastike, por situata është përmbysur jo pak.
Fillimisht ishte Kumbulla që “parkoi” në bokse, por shqetësuese është edhe situata me disa lojtarë të tjerë. Juljan Shehu po kalonte një moment të shkëlqyer në Poloni, por në fundjavë, gjatë sfidës kundër Rakov, Shehu nuk arriti të mbyllte 90-minuta, duke qëndruar në dhomat e zhveshjes pas pjesës së parë. Klubi i tij, Widzew Lodz bëri me dije se lojtari kishte shfaqur probleme fizike të cilat e bënë të pamundur të vijonte pjesën e mbetur të ndeshjes.
Një periudhë të shkëlqyer po kalonte edhe Arbër Hoxha, ku në ndeshjen e fundit këtë fundjavë, kundër Slaven Belupes, realizoi një gol dhe dhuroi një asist, një paraqitje që e vendosi në formacionin më të mirë të javës në Kroaci. Ashtu si Shehu, edhe Hoxha u zëvendësua me fillimin e pjesës së dytë, duke e bërë të paqartë prezencën e tij në sfidën kundër Serbisë.
I fundit që pësoi një dëmtim ishte Ardian Ismajli. Në takimin e së hënës kundër Parmës, Ismajli doli nga fusha i dëmtuar në minutën e 77-të, pas një problemi në kofshën e djathtë. Qendërmbrojtësi kuqezi vijon të ketë probleme pasi sapo ishte rikthyer në fushë pas një pauzë të gjatë, pikërisht për probleme në kofshën e djathtë.
Kjo situatë me disa nga legjionarët më të rëndësishëm shqetëson jo pak trajnerin Sylvinho-s, pasi kësaj liste i shtohet edhe Armando Broja, totalisht jashtë forme./E.T