Ish-diplomati amerikan, James P. Covey, ka nisur të martën dëshminë e tij para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës, në kuadër të mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte.
Covey ka qenë Zëvendës i Përfaqësuesit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Bernard Kouchner, nga viti 1999 deri në vitin 2001. Ai ka një karrierë të gjatë në shërbimin diplomatik të Shteteve të Bashkuara, ku ka mbajtur pozitën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore gjatë administratës së presidentit George H.W. Bush në periudhën 1989–1993.
Ai ka qenë Zëvendës Shef i misionit në ambasadën e SHBA-së në Kajro, Egjipt. Ai ka shërbyer si zyrtar i lartë në konsullatën amerikane në Jerusalem, Izrael. Gjithashtu, ai ka qenë Zëvendës i Përfaqësuesit të Lartë në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë.
Covey gjithashtu ka shërbyer si Drejtor i Lartë për Çështjet e Lindjes së Afërt dhe Azisë Jugore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së. Pas pensionimit nga shërbimi diplomatik, ai ka kaluar në fushën akademike dhe edukative, ku ka ligjëruar në Institutin Rochester të Teknologjisë në Kosovë (RIT) dhe Departamentin e Qeverisjes dhe Politikës të Universitetit të Marylandit në Uashington që nga viti 2017.
Dëshmitë e ish-zyrtarëve të lartë të periudhës së luftës në Kosovë mund të jenë element përcaktues për të vërtetën e luftës çlirimtare të UÇK-së, duke përmbysur narrativën e Prokurorisë së Specializuar se UÇK-ja ka pasur strukturë qendrore të konsoliduar që, sipas saj, ka urdhëruar vrasjen e civilëve gjatë luftës në Kosovës./e.t