Aktori i ndjerë Eric Dane ka zbuluar detaje prekëse nga fillimi i betejës së tij me sëmundjen e rëndë ALS, në kujtimet e tij postume, My Book of Days. Ylli i “Grey’s Anatomy” tregoi se simptomën e parë e përjetoi në janar të vitit 2024, disa muaj përpara se të diagnostikohej, por në atë kohë nuk i kushtoi rëndësinë e duhur.
Në një fragment të librit, të siguruar nga revista People, Dane rrëfen se ishte duke ngrënë sushi me vajzat e tij kur papritur vuri re se nuk arrinte t’i përdorte shkopinjtë me dorën e djathtë. Pak çaste më vonë, gishtat nisën t’i mpiheshin, duke e bërë të kuptonte se diçka nuk shkonte.
“Po ha sushi me fëmijët e mi dhe papritur nuk arrij t’i përdor shkopinjtë me dorën e djathtë. Pastaj gishtat më mpihen”, shkroi aktori në kujtimet e tij.
Megjithatë, në fillim ai nuk u shqetësua shumë për këtë simptomë. Dane mendoi se mund të ishte një problem i zakonshëm nervor dhe u përpoq ta kalonte, duke ia atribuar vështirësinë edhe përdorimit të shpeshtë të telefonit. Por gjendja nuk u përmirësua. “Nuk arrij t’i mbaj fare shkopinjtë”, rrëfeu ai, duke përshkruar momentin kur kuptoi se problemi ishte më serioz nga sa kishte menduar.
Ajo që fillimisht dukej si një shqetësim i vogël do të shënonte fillimin e një periudhe nëntëmujore kërkimesh për të zbuluar shkakun e simptomave. Në fund, neurologu Mark Terrelonge, në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko, i konfirmoi diagnozën e ALS-së, e njohur edhe si sëmundja e Lou Gehrig.
Në libër, aktori përshkruan edhe momentin e dhimbshëm kur mësoi lajmin dhe telefonoi bashkëshorten e tij, Rebecca Gayheart-Dane, me të cilën ka dy vajza, Billie, 16 vjeçe, dhe Georgia, 14 vjeçe.
“Ky ishte lajmi nga i cili kishim frikë”, i tha ai asaj, duke kujtuar më pas tronditjen që përjetoi. “Nuk mbaj mend asnjë fjalë që thashë pas kësaj. Mbaj mend vetëm një goditje të fortë, sikur të më ishte marrë fryma, dhe Rebeccën që qante me dënesë në anën tjetër të telefonit”, rrëfeu Dane.
Në ato momente të vështira, bashkëshortja e tij i dha një premtim që aktori nuk do ta harronte: “Jam këtu, do ta luftojmë këtë së bashku. Nuk do të largohem askund”.
Eric Dane e bëri publike diagnozën në prill të vitit 2025, në një intervistë për People, ku shprehu mirënjohjen për familjen që e mbështeste gjatë kësaj periudhe të vështirë. Deri në ndarjen e tij nga jeta, në shkurt, në moshën 53-vjeçare, aktori vazhdoi të punonte për aq kohë sa gjendja shëndetësore ia lejonte dhe përdori zërin e tij për të rritur ndërgjegjësimin mbi ALS-në dhe nevojën për kërkime shkencore.
Në dhjetor të vitit 2025, gjatë një paneli virtual të organizatës jofitimprurëse I AM ALS, ai shpjegoi se për të ishte bërë e rëndësishme të ndante historinë e tij me sa më shumë njerëz.
“Është thelbësore që ta ndaj rrugëtimin tim me sa më shumë njerëz që të mundem, sepse nuk ndiej më se jeta ime ka të bëjë vetëm me mua”, u shpreh aktori.
Kujtimet e tij, të përmbledhura në librin My Book of Days, që pritet të publikohet më 3 nëntor, sjellin një rrëfim personal mbi simptomat e para, pasigurinë përballë një diagnoze të vështirë dhe mbështetjen e familjes në një nga periudhat më sfiduese të jetës së tij./mxh
