Last Updated on 01/10/2025 by adminfjala
Kryebashkiaku socialist i Kamzës, Rakip Suli i ka dhënë titullin “Nderi i Qytetit, mjekut të dashur nga komuniteti i atjeshëm dhe i spikatur për profesionalizmin e tij, Munir Shehu.
Nderimi është bërë sot, më 1 Tetor, në 30 vjetorin e emërimit të tij të parë më 1 Tetor 1995 si mjeku i parë i Bathores. Kryebashkiaku Suli i ka shprehur atij mirënjohje për misionin e tij fisnik dhe i ka dorëzuar dekoratën.
“Sot pata kënaqësinë, të nderoja me titullin “NDERI I QYTETIT” të Bashkisë Kamëz, Z. Munir Shehu, mjekun e parë të Bathores, i cili prej 1 Tetorit 1995 ka shërbyer me përkushtim dhe profesionalizëm.
Për mbi 30 vite, Z. Shehu ka përmbushur me devotshmëri misionin e shenjtë të mjekut , duke u bërë shembull frymëzues për humanizmin, përulësinë dhe dashurinë për njerëzit”, shkruan Rakip Suli.
Bathorja, një njësi administrative e krijuar kryesisht prej të ardhurve nga veriu shqiptar pas viteve 90, e njeh dhe e vlerëson Munir Shehun si një mjek të përkushtuar, që ka bërë aq shumë për banorët e saj. Ai është mjeku i parë i kësaj zone, që me punë e përkushtim ka fituar dashurinë dhe respektin e të gjithëve.
Doktor Muniri ju është gjendur pranë banorëve të Bathores, të cilët shikojnë te mjeku i tyre një njeri të afërt, që ua di hallet dhe sëmundjet, nevojat dhe kërkesat, një model të njeriut human, që di të prekë me dorën shërimtare plagët e tyre të shumta.
Pasioni për punën, përkushtimi dhe përgjegjësia, të qenit në krye të detyrës, orar e pa orar, me vullnetin e mirë për t’i prekur gjërat me dorë, kanë bërë që Muniri të gëzojë simpati ndër të gjithë banorët e Bathores, që e duan sikur ta kishin djalin e tyre. m.p.
