Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të Bordit të Inspektimeve, organi i ri që do të funksionojë pranë Inspektoratit të Përgjithshëm në zbatim të ligjit të ri “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas vendimit, Bordi do të ketë si mision koordinimin e politikave dhe standardeve të përgjithshme të inspektimit për inspektoratet qendrore, vendore dhe strukturat e tjera përgjegjëse për inspektimet.
Ai do të udhëhiqet nga parimet e ligjshmërisë, pavarësisë, transparencës, mbrojtjes së të dhënave, objektivitetit dhe ushtrimit të ligjshëm të diskrecionit administrativ.
Bordi do të kryesohet nga ministri përgjegjës për Ekonominë dhe Inovacionin, si dhe do të përbëhet nga ministrat përgjegjës për arsimin, mbrojtjen e territorit, turizmin e kulturën, mjedisin, financat, infrastrukturën e energjinë, bujqësinë, shëndetësinë, mirëqenien sociale, si dhe pushtetin vendor.
Ndër kompetencat kryesore të Bordit janë shqyrtimi i raportit vjetor të Inspektoratit të Përgjithshëm mbi veprimtarinë inspektuese, koordinimi dhe orientimi i punës së inspektorateve, bashkëpunimi me institucionet shtetërore e ndërkombëtare, si edhe miratimi i masave për përmirësimin e organizimit dhe funksionimit të sistemit të inspektimeve.
Vendimi parashikon që Bordi të mblidhet sa herë të jetë e nevojshme, por jo më pak se dy herë në vit. Mbledhjet do të jenë të vlefshme nëse marrin pjesë të paktën dy të tretat e anëtarëve, ndërsa vendimet do të miratohen me shumicë të thjeshtë votash. Në rast barazimi, përcaktuese do të jetë vota e kryetarit.
Bordi do të mbështetet nga një sekretariat teknik, i cili do të përgatisë dokumentacionin për mbledhjet, do të hartojë procesverbalet dhe do të publikojë vendimet në faqen zyrtare të Inspektoratit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve pune nga miratimi i tyre.
Sipas vendimit, rekomandimet dhe vendimet e Bordit do të jenë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha inspektoratet qendrore dhe institucionet e tjera përgjegjëse për fushat përkatëse të inspektimit. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare./mxh
