Cruz Beckham dhe partnerja e tij, Jackie Apostel, janë bërë sërish qendër e vëmendjes, pasi një detaj i vërejtur gjatë një daljeje publike ka ngritur dyshime se çifti mund të ketë hedhur hapin e radhës në lidhjen e tyre.
Dyshja u fotografua në Miami Stadium, ku ndoqën ndeshjen mes Brazilit dhe Skocisë në kuadër të Kupës së Botës 2026. Të pranishëm ishte edhe David Beckham, i cili e ndoqi sfidën së bashku me djalin e tij.
Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte unaza që Jackie Apostel mbante në gishtin e fejesës. Në fotografitë që publikoi më pas në Instagram, 30-vjeçarja shfaqet pranë Cruz Beckham, 21 vjeç, ndërsa në përshkrimin e postimit shkroi: “Juuuust happy to be here”, një detaj që ka shtuar spekulimet për një fejesë.
Për ndeshjen, çifti zgjodhi të vishej me fanellat e Brazilit. Jackie, e cila ka lindur në São Paulo dhe ka shtetësi braziliane dhe gjermane, e mbështeti kombëtaren e vendit të saj, që fitoi 3-0 ndaj Skocisë.
Cruz dhe Jackie janë në një lidhje që prej verës së kaluar. Ata u njohën fillimisht përmes menaxherëve të tyre, ndërsa miqësia e krijuar gjatë bashkëpunimeve në studio muzikore u shndërrua më pas në një histori dashurie. Deri tani, asnjëri prej tyre nuk ka reaguar ndaj thashethemeve për një fejesë të mundshme./mxh
