Donald Trump kërcënon me shkurtime të mëdha në ato që I cilësoi “agjencitë demokrate”, ndërsa mbyllja e qeverisë federale ka hyrë në ditën e tretë. Rreth 750 mijë punonjës janë dërguar në shtëpi dhe qindra mijëra të tjerë po punojnë pa pagesë, mes mosmarrëveshjeve për financimet federale.
Pas mbylljes së qeverisë federale, presidenti Donald Trump ka intensifikuar kërcënimet për të reduktuar burokracinë, duke paralajmëruar shkurtime të mëdha në atë që ai i quan “agjenci demokrate”.
Ndërkohë, demokratët dhe republikanët po përgatiten për një betejë të gjatë mbi financimet federale.
Presidenti Trump deklaroi se së bashku me drejtorin e buxhetit do të përcaktojnë cilat agjenci do të përballen me shkurtimet, duke e cilësuar këtë si një mundësi për të “hequr qafe të panevojshmet” dhe për të riorganizuar qeverinë.
Mbyllja e qeverisë ka hyrë tashmë në ditën e tretë, duke detyruar rreth 750 mijë punonjës federalë të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa 200 mijë të tjerë, të konsideruar thelbësorë, po punojnë pa pagesë.
Shumë institucione dhe shërbime publike janë detyruar të ndërpresin aktivitetin për shkak të mungesës së fondeve.
Ngërçi politik erdhi nga mosmarrëveshjet mbi projektligjin e financimit: republikanët kërkojnë një masë të kufizuar vetëm tek fondet bazë për funksionimin e qeverisë, ndërsa demokratët insistojnë që të përfshihen edhe subvencionet për sigurimet shëndetësore të individëve me të ardhura të ulëta.
Ekspertët paralajmërojnë se presioni për zgjidhje do të rritet vetëm atëherë kur pasojat e mbylljes të prekin drejtpërdrejt qytetarët amerikanë./e.t