Last Updated on 06/10/2025 by adminfjala
Nga Fejzo Subashi.
Absolutisht që Floriani është një artist, përtej shijeve artistike të qytetarëve në Tiranë apo në mbarë Shqipërinë, që meriton respekt dhe mirënjohje. Një figurë publike që ka dhënë kontributin e tij në kulturë, në satirë, në interpretim, dhe që ka arritur të futet në kujtesën e përditshme të qytetarëve. Absolutisht, jo vetëm si artist, por edhe si qytetar i Tiranës, ai ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Në një shoqëri demokratike, askush nuk mund t’i mohojë këtë të drejtë, as për arsye profesioni, as për arsye karriere.
Gjithashtu, është absolutisht legjitime që partitë opozitare, përfshirë dhe PD-në, të kenë kërkesën ligjore dhe politike për të vendosur e mbështetur kandidatët e tyre. Nëse kanë zgjedhur të bëhen pjesë e garës zgjedhore, është e drejta e tyre të propozojnë individin që mendojnë se përfaqëson më mirë interesat e tyre. Deri në këtë pikë nuk ka asnjë problem. Përkundrazi, procesi demokratik është i shëndetshëm kur është gjithëpërfshirës dhe kur hapësira mediatike i kushtohet çdo kandidati që synon të marrë drejtimin e kryeqytetit.
Por aty ku nis të bëhet problematike është thelbi i zgjedhjes. Sepse një gjë është e drejta ligjore për të kandiduar, dhe krejt tjetër është përballja reale me dinamikën e qytetit, me sfidat e Tiranës, dhe mbi të gjitha me një kundërshtar politik që ka krijuar një sistem të konsoliduar, një makineri elektorale të fuqishme dhe një profil publik që e bën tepër të vështirë për t’u mposhtur. Atëherë analiza merr tjetër rrjedhë, sepse nuk mjafton vetëm “kandidimi”, por nevoja për të pasur kandidatin e duhur, atë që ngjall besim, frymë dhe bindje se ndryshimi është i mundur.
Në këtë këndvështrim, kandidatura e Florianit më shumë sesa një projekt fitoreje, ngjan me një improvizim të shpejtë. Në vend që të shfaqet si sfidë serioze ndaj një kundërshtari shumë më të fortë, ajo ngjan si një zgjedhje për të mbushur një boshllëk politik. Dhe kjo e dobëson opozitën, sepse nuk është e mjaftueshme të kesh një figurë të respektuar, nëse ajo nuk ka kapacitetin për të tërhequr zonën gri, atë pjesë vendimtare të elektoratit që vendos çdo rezultat zgjedhor.
Në fakt, kjo situatë bëhet edhe më ironike kur kujtojmë se mes kandidatëve të mundshëm kishte emra shumë më prestigjiozë dhe mbi të gjitha më funksionalë për një sfidë të tillë. Kandidatura të afta të krijonin frymë dhe të sillnin një qasje të re te qytetarët e pavendosur. Dhe është këtu që lind pyetja: pse duhej zgjedhur pikërisht një figurë që nuk ngjall siguri për fitore?
Marrim shembullin e Hasimes. Ai nuk ishte perfekt, as i paprekshëm. Por kishte diçka që e bënte ndryshe: ngjallte një frymë besimi. Jepte një mesazh të qartë ndryshimi, sidomos te votuesit e lëkundur, jo te militantët. Dhe për këtë arsye, ai kishte potencial të sillte edhe një pjesë të votuesve socialistë që nuk ishin të kënaqur me realitetin aktual.
Megjithatë, problemi i Hasimes nuk ishte tek qytetarët, as tek rivalët politikë. Problemi i tij ishte brenda vetë PD-së, brenda vetë strukturave opozitare. Sepse një Hasime fitues do të ishte i vështirë për t’u kontrolluar. Nuk do të ishte “ushtar”, nuk do të ishte i gatshëm të ecte në zyrën e Berishës para se të shkonte në zyrën e tij. Dhe pikërisht ky “rrezik” bëri që ai të mos shihej si zgjedhja e duhur nga drejtuesit e PD-së.
Kjo sjellje ngjall edhe një dyshim tjetër, shumë më të thellë: a është e mundur që marrëveshja më e madhe, më e qëndrueshme dhe më funksionale në politikën shqiptare të jetë pikërisht ajo mes Berishës dhe Ramës? Sepse nëse PD-ja refuzon kandidaturat më të forta vetëm nga frika se ato do të bëhen të pavarura, kjo nënkupton se opozita nuk kërkon realisht të fitojë, por vetëm të ruajë një ekuilibër që i leverdis palëve në krye.
Dhe kështu, në vend që Tirana të ketë një sfidë reale, një përballje që i jep shpresë qytetarëve për ndryshim, ajo përfundon me një garë të deformuar. Një garë ku njëra palë ka makinerinë e pushtetit, kurse pala tjetër kënaqet me simbolika dhe me kandidatura që nuk janë të destinuara për fitore, por vetëm për pjesëmarrje.
Në fund, qytetari i Tiranës mbetet përballë të njëjtës pyetje: a ka realisht shans për ndryshim, apo gjithçka është pjesë e një skenari të paracaktuar, ku marrëveshjet e fshehta mes liderëve të vjetër peshojnë më shumë sesa vullneti i qytetarëve? Dhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë për çfarë shërbejnë zgjedhjet? Për të ndryshuar kryetarin e bashkisë, apo për të mbajtur gjallë një teatrin absurd shqiptar? Përfundimisht, jo që nuk kemi risi dhe pritshmëri, por kemi serin e fundit të telenovëes së PF- së dhe Opozitës Shqiptare edhe për këto mini zgjedhje….
