Last Updated on 08/10/2025 by adminfjala
Një përzgjedhje e Institutit Parlamentar për të vendosur portretin e diktatorit Enver Hoxha në mesin e personaliteteve kombëtare të muajit nëntor, ka ngjallur reagime të ashpra nga shoqata, politikanë e njerëz të botës së televizionit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka kërkuar sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve distancimin e plotë të institucionit nga ky vendim duke shprehur se kjo është një fyerje e hapur për besnikërinë e shqiptarëve për të falur dhe jo për të harruar.
Gjekmarkaj nuk kurseu as akuzat duke thënë se në mesin e anëtarëve të Partisë Socialiste, ka hetues të komunizmit dhe se kjo parti është prodhim i Partisë së Punës.
“Ju duhet te mbani përgjegjësi morale për futjen e figurës se Enver Hoxhës ne analet Kuvendit te Shqipërisë. Po kujtoj këtu atë qe ka thënë Dritëro Agolli “Partia Socialiste ka lindur nga mitra e përgjakur e Partisë Punës”. Ju këtu jeni trashëgimtarë te asaj diktature, ne grupin tuaj parlamentar ka hetues te komunizmit. Prandaj ajo çfarë ka ndodh ne kuvend fyen besnikërinë e shqiptareve për te falur e jo për te harruar. Fyen kujtimin e martireve. Prandaj është ne nderin tuaj te distancoheni”, tha Gjekmarkaj.
Çudia e Instituti Parlamentar, në varësi të Kuvendit, është se në përshkrimin që bëjnë për diktatorin Hoxha, e cilësojnë thjesht si Udhëheqës i Partisë Komuniste, apo si ‘Hero i Popullit’ dhe ‘Hero i Punës Socialiste’, sikur të mos kishte urdhëruar pushkatime, internime e burgosje masive.
“Udhëheqës i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës të Shqipërisë. Udhëhoqi Luftën ANÇ dhe drejtoi shtetin shqiptar pas luftës. Pas çlirimit u zgjodh deputet në të gjitha legjislaturat dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Hero i Popullit, Hero i Punës Socialiste etj”, kështu përshkruhet në dokument figura e Enver Hoxhës.
Ajo që ka ngjallur më shumë zemërim është se figura e Enver Hoxhës është renditur përkrah figurave të mëdha të letërsisë dhe historisë shqiptare, si Dritëro Agolli, Naim Frashëri dhe Sulejman Delvina.
Pas polemikave të shumta, Kuvendi i Shqipërisë reagoi për Report Tv duke sqaruar se Instituti Parlamentar ka ”shpërndarë një material që përfshin datat e lindjes dhe të vdekjes të disa figurave të historisë të shtetit shqiptar përgjatë muajit tetor, i bazuar tërësisht në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”. Kuvendi thotë se nuk ka planifikuar zhvillimin e ndonjë aktiviteti të veçantë në lidhje me figurat e përmendura në material.
“Ky informacion është pjesë e praktikës rutinë të Sektorit të Bibliotekës, i cili i furnizon periodikisht deputetët me të dhëna historike dhe arkivore, me qëllim informimin e përgjithshëm për ngjarje, data apo elementë të tjerë me karakter historik.
Në rastin konkret, sektori ka shpërndarë një material që përfshin datat e lindjes dhe të vdekjes të disa figurave të historisë të shtetit shqiptar përgjatë muajit tetor, i bazuar tërësisht në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008), fq. 957.
Kuvendi i Shqipërisë nuk ka planifikuar zhvillimin e ndonjë aktiviteti të veçantë në lidhje me figurat e përmendura në këtë material dhe nuk ka shprehur asnjë qëndrim vlerësues, pozitiv apo negativ, për asnjërën prej tyre”, thuhet në reagimin e Kuvendit./e.t
