Last Updated on 28/08/2026 by Monika
Disa qindra tonë peshq kanë ngordhur gjatë muajit gusht në një nga komplekset më të mëdha të fermave të peshkut në Hungari, ndërsa përplasja për furnizimin me ujë po thellon shqetësimet për pasojat e thatësirës dhe temperaturave ekstreme.
Kompleksi i fermave të peshkut në Rétimajor, në jug të Budapestit, shtrihet në një sipërfaqe ujore prej rreth 800 hektarësh dhe përfaqëson atë që ka mbetur nga kënetat e dikurshme të Sárrétit. Pellgjet e cekëta, kallamishtet, ishujt dhe brigjet me baltë përbëjnë një habitat të rëndësishëm për shpendët ujorë dhe specie të tjera të rralla.
Zona e Liqeneve të Rétszilásit dhe territoret përreth konsiderohen ndër më të mbrojturat në Europë. Ato gëzojnë statusin Natura 2000 dhe janë të njohura, sipas Konventës Ramsar, si ligatina me rëndësi ndërkombëtare.
Pronari dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë Aranyponty Zrt., Ferenc Lévai, fajëson mënyrën se si është menaxhuar dhe shpërndarë uji, duke pretenduar se sasitë e nevojshme janë mbajtur në zonat e sipërme për qëllime vaditjeje.
Sipas tij, për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm me ujë, ferma nuk ka arritur të ruajë as nivelin minimal ekologjik, i cili parashikon që të paktën 50% e sipërfaqes së përgjithshme të mbetet e mbuluar me ujë.
Rreth 150 hektarë të kompleksit janë tashmë të tharë, ndërsa në afro 400 hektarë të tjerë peshqit po mbijetojnë në vetëm 30 deri në 40 centimetra ujë. Vetëm në rreth 200 deri në 250 hektarë niveli i ujit është mbi gjysmën e thellësisë normale, duke lejuar vazhdimin e rregullt të aktivitetit të rritjes së peshkut.
Pavarësisht përpjekjeve për të kufizuar dëmet, nga 300 deri në 350 tonë peshq kanë ngordhur. Sipas llogaritjeve të Lévait, humbjet financiare arrijnë në rreth 400 deri në 500 milionë forintë, ose nga 1.1 deri në 1.4 milionë euro.
Niveli shumë i ulët i ujit bëri që temperaturat të rriteshin më shpejt, duke përshpejtuar formimin e gazrave. Gazrat e çliruar nga llumi në fund të pellgjeve kanë helmuar peshqit, duke shkaktuar ngordhjen masive të tyre.
Por dëmi, sipas pronarit të fermës, nuk kufizohet vetëm te humbjet ekonomike. Tharja e pellgjeve ka vënë në rrezik edhe habitatin e shumë specieve të mbrojtura, përfshirë amfibë dhe shpendë të rrallë që jetojnë në këtë zonë.
Nga ana tjetër, autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e ujërave mohojnë se kanë mbajtur ujin në mënyrë të padrejtë. Sipas tyre, situata u përkeqësua nga vala ekstreme e të nxehtit që përfshiu Hungarinë gjatë verës.
Që prej 26 korrikut janë vendosur kufizime rajonale për përdorimin e ujit, sipas të cilave furnizimi për fermat e peshkut mund të reduktohet me maksimumi 20%, ndërsa përdorimi për vaditje me deri në 60%. Autoritetet deklarojnë se këto kufizime janë respektuar dhe se nuk është ndaluar furnizimi me ujë për fermat e peshkut.
Përkundrazi, gjatë gushtit janë çliruar 1.18 milionë metra kub ujë brenda dy javësh nga rezervuari i Fehérvárcsurgó për të furnizuar pellgjet në Rétimajor. Megjithatë, në rezervuar kanë mbetur vetëm rreth 1.4 milionë metra kub ujë.
Autoritetet vlerësojnë se nga sipërfaqja ujore prej 800 hektarësh mund të jenë avulluar deri në 100 mijë metra kub ujë në ditë për shkak të temperaturave ekstreme. Sipas tyre, përdorimi i ujit për vaditje në zonat e sipërme ka pasur ndikim të kufizuar krahasuar me sasinë e madhe të ujit të humbur nga avullimi.
Në këtë përplasje për ujin, Ferenc Lévai thotë se nuk kërkon fajtorë, por zgjidhje afatgjata. Ai propozon që bizneset bujqësore të ndërtojnë rezervuarët e tyre për të grumbulluar ujë gjatë periudhave me reshje të bollshme, në mënyrë që gjatë thatësirave të mos konkurrojnë për të njëjtat burime me fermat e peshkut dhe habitatet natyrore.
Edhe autoritetet e ujërave kanë nisur një studim mbi gjendjen hidrologjike të sistemit dhe përdorimin e rezervave ujore nga subjektet e licencuara. Qëllimi është të përcaktohet se si mund të plotësohen kërkesat për ujë në të ardhme./mxh
