Më 21 korrik 1954, në përfundim të Konferencës së Paqes në Gjenevë, Franca pranoi zyrtarisht të tërhiqte trupat e saj ushtarake nga Vietnami, duke i dhënë fund një lufte të gjatë koloniale që kishte nisur pas Luftës së Dytë Botërore. Ky ishte një nga momentet më vendimtare në historinë e Azisë Juglindore dhe një pikë kthese për zhvillimet që do të çonin më vonë në Luftën e Vietnamit.
Konferenca e Gjenevës, e cila zgjati nga prilli deri në korrik të atij viti, mblodhi përfaqësues nga fuqitë e mëdha – Franca, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Kina, Britania e Madhe dhe Vietnami – me synimin për t’i dhënë fund konfliktit midis forcave koloniale franceze dhe Viet Minh-it, lëvizjes nacionaliste komuniste të udhëhequr nga Ho Chi Minh.
Sipas Marrëveshjes së Gjenevës, u vendos që:
Franca të tërhiqte përfundimisht trupat e saj nga Vietnami, duke i dhënë fund më shumë se një shekulli sundimi kolonial.
Vietnami do të ndahej përkohësisht në dy pjesë, përgjatë paralelit 17, me Vietnamin e Veriut nën kontrollin e Viet Minh-it dhe me kryeqytet në Hanoi, ndërsa Vietnami i Jugut do të drejtohej nga qeveria pro-perëndimore e Ngo Dinh Diem, me kryeqytet në Saigon.
U parashikua që brenda dy viteve të ardhshme, të mbaheshin zgjedhje kombëtare për ribashkimin e vendit nën një qeveri të vetme – megjithatë, këto zgjedhje nuk u mbajtën kurrë, për shkak të kundërshtimit të Vietnamit të Jugut dhe mbështetësve të tij amerikanë.
Pas tërheqjes franceze, në Vietnam filloi një periudhë e re tensioni dhe përçarjeje ideologjike. Vietnami i Veriut, i mbështetur nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina, ndërtoi një shtet socialist nën drejtimin e Ho Chi Minh-it, ndërsa Vietnami i Jugut, i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara, u përpoq të vendoste një regjim antikomunist.
Ky ndarje e përkohshme u kthye shumë shpejt në një konflikt të armatosur të plotë, i cili do të njihte përshkallëzim të madh në vitet ’60, kur SHBA hyri drejtpërdrejt në luftë. Lufta e Vietnamit zgjati deri më 1975, kur trupat e Vietnami të Veriut hynë në Saigon, duke e bashkuar vendin nën një qeveri të vetme komuniste.
Pas ribashkimit, kryeqyteti i Vietnamit të bashkuar mbeti Hanoi, ndërsa Saigoni mori emrin Ho Chi Minh City, në nder të udhëheqësit revolucionar që kishte udhëhequr luftën për pavarësi.
Kështu, Marrëveshja e Gjenevës e vitit 1954 shënoi fundin e epokës koloniale franceze në Indokinë, por njëkohësisht hapi rrugën për njërin prej konflikteve më të përgjakshme të shekullit XX — Luftën e Vietnamit, e cila do të trondiste rendin botëror për më shumë se dy dekada.
Përgatiti: L.Veizi
