Last Updated on 21/05/2026 by Kesjana
Maj 1940, ekzekutohen mbi 1.500 pacientë
Nga Leonard Veizi
Në vitin 1940, shumë përpara se bota të mësonte emrat e kampeve të shfarosjes si Holokausti apo të përballej me fotografitë e maleve me kufoma në Europën e çliruar, makineria naziste e vdekjes kishte nisur të funksiononte në heshtje brenda vetë Gjermanisë.
Viktimat e para nuk ishin ushtarë armikë, as hebrenj të deportuar nga vendet e pushtuara. Ishin qytetarë gjermanë: të sëmurë mendorë, pacientë spitalesh psikiatrike, njerëz me aftësi të kufizuara, fëmijë me probleme neurologjike, individë që regjimi i Adolf Hitlerit i konsideronte “jetë të padenja për t’u jetuar”.
Në Prusinë Lindore, një njësi speciale naziste vrau mbi 1.500 pacientë të sëmurë mendorë. Ata nuk u ekzekutuan për ndonjë krim. Nuk kishin bërë asgjë tjetër përveçse ekzistonin jashtë modelit biologjik që nazizmi kishte vendosur si normë.
Këto vrasje ishin pjesë e programit famëkeq “Aktion T4” — një projekt shtetëror i organizuar nga regjimi nazist për eliminimin sistematik të personave që konsideroheshin barrë për “pastërtinë racore” dhe ekonominë e Rajhut.
Nazizmi nuk ishte vetëm një diktaturë politike. Ai ishte një ideologji biologjike. Në qendër të saj qëndronte bindja se njeriu nuk kishte vlerë si qenie morale apo shpirtërore, por si material gjenetik. Kush ishte i dobët, i sëmurë, me aftësi të kufizuara apo i paaftë për të kontribuar në “trupin racial” (racor) të kombit, shihej si element i tepërt që duhej eliminuar.
Kjo është ndoshta një nga anët më të errëta të krimit nazist: fakti që vrasja u paraqit si akt racional, mjekësor dhe administrativ. Nuk bëhej fjalë për shpërthime barbarie spontane. Ishte burokraci e organizuar. Mjekë, infermierë, administratorë dhe oficerë firmosnin formularë që vendosnin kush do të jetonte dhe kush do të vdiste.
Në shumë raste, pacientët transportoheshin me autobusë të mbyllur drejt qendrave të eliminimit, ku vriteshin me gaz ose me injeksione vdekjeprurëse. Familjeve u dërgoheshin certifikata të rreme vdekjeje, shpesh me diagnoza të fabrikuara.
Tmerri i vërtetë qëndron pikërisht këtu: civilizimi europian, me universitetet, spitalet dhe shkencën e tij moderne, u vu në shërbim të seleksionimit njerëzor. Nazizmi nuk e shpiku urrejtjen, por i dha asaj metodë, statistikë dhe justifikim pseudoshkencor.
Programi “Aktion T4” u bë laboratori i parë teknik dhe psikologjik i Holokaustit. Metodat e gazimit, organizimi logjistik dhe vetë ideja e vrasjes industriale u testuan fillimisht mbi njerëzit më të pambrojtur të shoqërisë gjermane. Para se nazizmi të ndërtonte Auschwitz-in (Aushvicin), ai kishte provuar nëse Europa moderne ishte në gjendje të pranonte vdekjen si procedurë administrative.
Dhe një pjesë e saj heshti.
Kjo është arsyeja pse krimet naziste nuk mund të trajtohen vetëm si episode historike të së kaluarës. Aze janë një paralajmërim filozofik dhe moral për çdo shoqëri që fillon të masë vlerën e njeriut sipas dobisë, produktivitetit apo “pastërtisë” së tij.
Sepse momenti kur një shtet vendos se disa jetë vlejnë më pak se të tjerat, është momenti kur qytetërimi fillon të shembet nga brenda.
Në Gjermaninë naziste, gjithçka nisi me gjuhën e “papërshtatshmërisë”, “barrës sociale” dhe “higjienës racore”. Pas kësaj erdhën listat. Pastaj transportet. Pastaj dhomat e gazit.
Historia tregon se barbaria moderne nuk vjen gjithmonë me fytyrën e egër të turmës. Shpesh ajo vjen me uniformë, me vulë shtetërore, me dosje administrative dhe me justifikimin se po vepron “për të mirën e shoqërisë”.
Mbi 1.500 pacientët e vrarë në Prusinë Lindore ishin njerëzit e parë që provuan se kur politika humbet moralin dhe shkenca humbet ndërgjegjen, njeriu mund të shndërrohet në statistikë për t’u zhdukur.
