Grupet e organizuara kriminale, anëtarët e të cilave janë me origjinë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përdorin një rrugë të re për kontrabandimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës: përmes vendeve të Afrikës Perëndimore. Këtë e vunë në dukje studiuesit e Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI) në një raport të publikuar në shtator.
Sasha Gjorgjeviq, bashkautor i raportit, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor, përdorin rrugën përmes Afrikës Perëndimore për trafikimin e kokainës, kryesisht për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik të Afrikës Perëndimore, e cila ndodhet midis Amerikës Latine, ku prodhohet kokaina, dhe tregjeve evropiane, ku shitet.
Raporti bazohet në 70 intervista me gazetarë hulumtues, policë, prokurorë, akademikë, zyrtarë dhe punonjës të sektorit privat në porte dhe aeroporte, aktorë të përfshirë në tregtinë e kokainës, përdorues droge dhe punonjës shëndetësorë në Ballkanin Perëndimor, Amerikën Latine dhe Afrikën Perëndimore.
Gjorgjeviq thekson se grupet e organizuara kriminale nga Ballkani Perëndimor kanë forcuar praninë e tyre në vendet bregdetare të Afrikës Perëndimore. Në mesin e këtyre vendeve janë: Siera Leone, Senegali, Guinea-Bisau, Guinea dhe Gambia.
Shfrytëzimin e kësaj rruge për trafikim e konfirmon edhe EUROPOL-i, agjencia evropiane për zbatimin e ligjit.
“Rrjetet më të spikatura kriminale kanë përfaqësues të tyre (ndërmjetës dhe ndonjëherë edhe njësi të tëra) të vendosur në vendet e origjinës në Amerikën e Jugut ose në qendrat logjistike (në Afrikën Perëndimore ose Jugore)”, tha EUROPOL-i në përgjigje të pyetjes së Radios Evropa e Lirë.
Ai theksoi se është formuar një grup i veçantë operativ për t’iu përgjigjur kërcënimit që paraqet kontrabanda e organizuar e narkotikëve.
Ky grup, sipas EUROPOL-it, bashkon shtetet e Ballkanit Perëndimor, të Bashkimit Evropian dhe të gjithë botës, me qëllim që të përcjellin rrjetet kriminale.
Grupet e organizuara kriminale nga Ballkani Perëndimor janë identifikuar nga organizatat ndërkombëtare, si EUROPOL-i dhe INTERPOL-i, si aktorë kryesorë në kontrabandën e kokainës nga vendet e Amerikës Latine – përfshirë Brazilin, Kolumbinë dhe Ekuadorin – drejt tregjeve në vendet e Evropës Perëndimore, sidomos Holandës.
Rruga e re për kontrabandimin e kokainës, sipas Gjorgjeviqit, paraqet një sfidë shtesë, sepse grupet e organizuara kriminale nga Ballkani Perëndimor i shfrytëzojnë vendet e Afrikës Perëndimore edhe si depo për drogën – gjë që më pas ua lehtëson shpërndarjen dhe transportin.
Pozicionimi në këto vende, ashtu si edhe në vendet e Amerikës Latine dhe të Evropës, u mundësohet përmes korrupsionit.
“Ata nuk e kanë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të pushtetit lokal. Por, krimi i organizuar, përfshirë edhe atë që kalon përmes Afrikës Perëndimore, thjesht nuk mund të funksionojë pa njerëz që korruptohen e që mbajnë pozicione të rëndësishme, kryesisht në sigurinë në porte, dogana dhe polici”, thotë Gjorgjeviq.
Ai shton se kjo rrugë u zhvillua edhe për shkak të rritjes së kërkesës për kokainë në Evropë – kryesisht në tregun e Evropës Perëndimore.
Këtë e tregojnë edhe të dhënat mbi përqendrimin e mbetjeve të kokainës në ujërat e zeza të qyteteve të mëdha evropiane, të mbledhura nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Drogat (EUDA).
Raporti i qershorit 2025 tregon se përdorimi i kokainës është rritur në qytetet e mëdha evropiane, pasi mbetjet në ujërat e zeza janë më të larta në 39 nga 72 qytetet e monitoruara – përfshirë Brukselin, Zagrebin dhe Mariborin – gjatë viteve 2023–2024.
Sipas të dhënave të EUDA-s, kokaina është pas kanabisit droga e dytë më e përdorur ilegale në Evropë, dhe brenda vetëm tre vjetësh, sasia e kokainës së sekuestruar në Bashkimin Evropian është dyfishuar.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor bashkëpunojnë me EUROPOL-in për të luftuar kontrabandën e kokainës.
Sipas raportit të GI-së, grupet e organizuara kriminale nga Ballkani Perëndimor janë ndarë sipas gjuhës që përdorin – në ato që flasin gjuhët sllave dhe ato që përdorin gjuhën shqipe.
Megjithatë, një tipar i krimit të organizuar është natyra e tij multinacionale, dhe raporti tregon se ka bashkëpunim mes grupeve të ndryshme.
Sipas Gjorgjeviqit, bashkëpunimi mes policive dhe prokurorive në rajon për parandalimin e kontrabandës së kokainës funksionon shumë më mirë, kur bëhet me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare.
Si një nga sfidat më të mëdha në bashkëpunim, ai përmend, ndër të tjera, faktin se organet hetimore fokusohen kryesisht te sekuestrimet dhe jo te rrjedha e parave.
“E dyta, ndikimi i aktiviteteve për të zvogëluar kërkesën, në kuptimin e parandalimit, është minimal dhe, në përgjithësi, shumë pak diskutohet për reduktimin e kërkesës. Më shumë flitet – dhe gjithmonë në mënyrë bombastike – kur ndodh ndonjë sekuestrim”, thotë Gjorgjeviq.
Por, ai shton se në vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasur shumë përparim në konfiskimin e aseteve të fituara përmes krimit.
“Kjo, në njëfarë mënyre, është mjet për parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar”, thotë Gjorgjeviq. m.p.
