Ish-koloneli Dilaver Goxhaj, i ftuar në një emisionin ka ndarë një nga momentet më të vështira, por edhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai foli me emocion për betejën 12-ditore, që u zhvillua nga 20 marsi deri më 2 prill, në malet e Berishës, ku forcat shqiptare u përballën me një ofensivë të fuqishme serbe.
“U mblodhëm në malin e Berishës dhe ishim rreth 20 mijë luftëtarë. Na rrethuan 15 mijë forca serbe, me tanke dhe autoblinda. Vendosëm të çanim rrethimin. Ishte një vendim i vështirë, por i domosdoshëm,” tregoi Goxhaj.
Ai përshkroi me detaje momentin kur strategjia shqiptare e befasoi armikun dhe u arrit të thyhej rrethimi serb.
“Pika e dobët e serbëve është se nuk dinë të rrethojnë. Dinë të vrasin e të shkatërrojnë çfarë u del përpara, por ne e dinim këtë dobësi të tyre. Ishte mesnatë, na ndihmoi Perëndia, një shi i jashtëzakonshëm, vetëtima dhe bubullima pa pushim. Ata menduan se po tërhiqeshim dhe se do të luftonim në mbrojtje.”
Në atë moment vendimtar, UÇK ndërmori një veprim të guximshëm që i ndryshoi krejtësisht rrjedhën përballjes: “Ne hodhëm 2 mijë forca në shpinë të tyre. Kanë ndjerë zjarrin e automatikëve dhe ata u habitën, u çmendën – nuk e kuptuan nga u dolëm. Kështu u ça rrethimi. Ai ka qenë momenti më i jashtëzakonshëm për ne”,- tha ai. /K.M
