Sulmuesit e Kombëtares shqiptare vazhdojnë të jenë në formë të shkëlqyer edhe pas angazhimeve me fanellën kuqezi. Rey Manaj dhe Jasir Asani kanë gjetur sërish rrugën e rrjetës me skuadrat respektive, duke konfirmuar momentin e tyre të mirë.
Manaj, gol vendimtar në Emiratet e Bashkuara Arabe
Vetëm pak ditë pas golit historik që i dha Shqipërisë fitoren 0-1 ndaj Serbisë, Rey Manaj ka lënë sërish gjurmë, këtë herë me klubin e tij Al Sharjah.
Sulmuesi lushnjar realizoi golin e dytë në fitoren 2-0 ndaj Al Dhafra, duke vulosur suksesin e skuadrës në ndeshjen e kampionatit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në fundin e pjesës së parë, pas një pasimi në zonë, Manaj goditi fuqishëm me të majtën dhe dërgoi topin në rrjetë. Ky ishte goli i parë në kampionat për 27-vjeçarin, i cili numëron gjithashtu katër gola të tjerë në Kupë dhe Ligën e Kampioneve të Azisë.
Statistikat tregojnë se Manaj është përshtatur shpejt me ambientin e ri te Al Sharjah, skuadër me të cilën u bashkua në fund të merkatos së verës pas largimit nga Sivasspori i Turqisë.
Asani vazhdon të shkëlqejë në Iran
Në të njëjtën valë pozitive është edhe Jasir Asani, i cili vazhdon të jetë protagonist me Esteghlalin në kampionatin iranian. Sulmuesi anësor shënoi golin e parë të takimit në fitoren ndaj Mes Rafsanjan, duke i dhënë avantazhin ekipit të tij në minutën e 11-të. Me një goditje precize nga kufiri i zonës, Asani tundi rrjetën dhe ndezi festën e tifozëve vendas.
Ky ishte goli i tretë sezonal për 30-vjeçarin, i cili këtë verë u transferua nga Gwangju FC në Korenë e Jugut. /K.M
