E mitura 6-vjeçare, Nefeli Hazisllari, e cila mbeti e plagosur nga zjarri tragjik që përfshiu banesën e saj mesditën e kësaj të diele, është transportuar me urgjencë drejt Tiranës për trajtim mjekësor më të specializuar.
Burime për mediat bëjnë me dije se e vogla është nisur drejt Spitalit të Traumës pasi gjendja e saj shëndetësore është e rënë pasi ka djegie të shumta në trup.
Zjarri shpërtheu rreth orës 13:30, në banesën e familjes Azisllari, në Maliq, ku ndodhej Merjeme Azisllari, së bashku me dy fëmijët e saj. Si pasojë e flakëve dhe tymit të dendur, 40-vjeçarja humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa djali i saj, Luka Azisllari në spital.
Menjëherë pas njoftimit, policia dhe zjarrfikësit mbërritën në banesën e cila ishte “përpirë” nga zjarri ku dhe bënë të mundur neutralizimin e flakëve. Ndërkohë që Luka dhe motra e tij 6-vjeçare, Nefeli Hazisllari, u dërguan në spital. Fatkeqësisht 14-vjeçari nuk mundi të mbijetonte, pavarësisht ndihmës së mjekëve, teksa motra e tij vijon të jetë në gjendje të rëndë.
Nga dëshmitë e fqinjve, vajza mundi të shpëtonte pasi u hodh nga dritarja, duke arritur që të dilte jashtë në oborr, ndërsa nëna dhe vëllai i saj mbetën të bllokuar në banesë.
Deri më tani dyshohet se shkak i zjarrit të jetë bërë soba me dru të cilën familja Azisllari e përdornin për t’u ngrohur. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj.
