Last Updated on 21/10/2025 by EL
Nga ARTUR AJAZI
Media është fuqi plotësuese në morinë e pushteteve. Natyrisht ajo mbart me vehte një efekt të jashtëzakonshëm mbi ngjarjet, problematikat, ndodhitë, dhe gjithçka lidhet me jetën e përditshme. Në Shqipëri, gazetaria aktuale është tejet ballkanike, dhe pak gjasa ka të bëhet europiane. Akoma tek ne, raportimet bëhen selektive, të paramenduara, të rekomanduara, aq sa beson se nuk ndodhesh para një gazetari, por para një tregëtari të komanduar. Kush është fajtori ? Natyrisht tranzicioni i tejzgjatur, mungesa e rregullave, kritereve, logjikës, qytetarisë dhe legjislacionit. Në shumicën e mediave në Shqipëri, pronarët kanë interesa politike. Kjo natyrisht e bën gazetarin të “filtrohet” në varësi të pronarit në çdo raportim zanor dhe me shkrim. Në Europë gazetaria është e pavarur, pasi ka transparencë mbi lajmin, raportimin, dhe pronësinë e saj. Në Shqipëri ka media që i japin 1 herë në 4 ose 5 muaj rrogat, nuk bëjnë sigurimin e gazetarëve, kurse pronari luan bixhoz në kazinotë e Tiranës, Barit , Shkupit apo Milanos. Gazetaria në Shqipëri ka mbetur në kufinjtë e mjerimit arsimor, intelektual, studimor, hapësinor,etj . Nuk bëhet fjalë për të menduar për të ardhmen e gazetës, televizionit, radios, portalit, por thjesht ecet me interesin e momentit. Rekrutimi i gazetarëve bëhet nga inkompetentë, dhe persona që nuk kanë lidhje fare me profesionin. Pas vitit 1992, ne kopjuam pak nga të gjitha, pak nga gazetaria italiane të viteve’50-’60, por jo nga niveli, por më shumë nga forma. Ata që hodhën “themelet” e gazetarisë pas ardhjes së demokracisë, ishin akoma ata që mbushnin faqet e “ZP” apo “Bashkimit” me shkrime për udhëheqësin dhe citate partie. Ata nuk e lanë gazetarinë e brishtë, të ecte përpara, të demokratizohej, ti ikte frika dhe ankthi, por e trysnuan atë. Në vitin 1996, kishte media që e paguanin gazetarin 80 mijë lektë të vjetra në muaj, dhe kur në faqet e gazetave botoheshin me urdhër shkrime që vinin nga selitë e partive. Sot ka media që komandohen nga partia, apo klane të dyshimta që i përdorin ato për interesa personale. Nuk mund të europianizohet një media, kur gazetari ka 6 muaj para marrë rrogën, kur gazetari punon në të zezë (dhe shkruan për punën e zezë) kur atij i mbyllet goja nga shefi, ministri, rrugaçi, apo prokurori e gjyqtari. Nuk mund të shkosh në Europë, kur ka 35 vjet që nuk ka një strukture mbrojtëse për gazetarin. Shoqatat dhe unionet, janë krejt të pafuqishme ti bëjnë ballë furisë së pushtetit që ka sot pronari i medias. Në Shqipëri, ngre media ish-ministri, ish-kryeministri apo ish-presidenti. Ka plot raste, kur ka ngritur media, edhe ai që është marrë me trafiqe. Po pse kjo mund të jetë e ardhmja e medias në Shqipëri, vallë kështu do të konkurrosh denjësisht me mediat në Europë ? Nëse gazetaria profesioniste në Shqipëri bëhet nga media që financohen nga burime të dyshimta, nuk ka se si të kemi nesër një media cilësore, të pavarur, europiane, por do të vazhdojmë të mbetemi përfundimisht tek ajo tipike ballkanike.
