Nga Ben Andoni
Megjithëse titulli në këtë shkrim përbëhet nga një togfjalësh, gjithsesi atë mund ta marrësh shumë mirë edhe si kompozitë. Për faktin se është një term i vetëm ndjesie, ku “apatia e turpit” të sjell ndërmend një gjendje bllokimi moral të qytetarit përballë një zhgënjimi politik, ku ai gjendet realisht mes Skillës dhe Karibdës: As nuk i del dot në krah të vërtetës dhe as nuk e merr dot mundimin ta kundërshtojë gënjeshtrën. Rastet janë të shumta, por gjendja ku jemi sot e konfirmon në çdo hap këtë konstatim. Për t’u dukur ndryshe, zv\kryeministrja shqiptare Balluku do i drejtohej një auditori që lidhej me investimet turke: “Arsyet pse një sipërmarrje turke duhet të vijë të investojë në Shqipëri… nuk kanë ndryshuar shumë nga arsyet pse Bajaziti, Murati, Mehmeti, Fatihu, donin të instaloheshin në Shqipëri”, tha disa ditë më parë zyrtarja e lartë, duke shkërbyer historinë në formën më të shëmtuar. Atë që filmat turq po e bëjnë më së miri në fakt në interesin e tyre dhe kundër narrativave të vërteta historike. Kryeministri Rama shkoi diçka më shumë në atë që lidhet me risinë e tij në Ekzekutiv, duke realizuar ekzistencën e një ministre algoritëm. “Diella” me kostum kombëtar u bë lajm në të gjitha mediat ndërkombëtare që e kundruan si eksperiment në vendin ku korrupsioni ka qytetari absolute. Pavarësisht mosnjohjes së kushtetutës sonë, pakkush prej tyre theksoi se: koncepti i një ‘ministri të inteligjencës artificiale’ nuk ka ndonjë bazë në Kushtetutën e Shqipërisë. Gjë që do të thotë se çfarëdo risie që të sjellësh dhe madje edhe të bëhesh lajm, kjo nuk e zhbën dot faktin se ende në vitin 2025: Termi “ministër\re” është i lidhur me ekzistencën e një personi fizik dhe kuptohet atributet që rrjedhin nga ky fakt. Ta bësh këtë në një vend me probleme të pafundme të pronës që ka pjellë mijëra viktima; me një mishmash të ngatërruar formalizmash të administratës së fryrë dhe të kesh “Zero” reagime atëherë Shqipëria jonë është brenda konceptit të “Apatisë së turpit”. Kjo ndjesi të vjen e hidhur edhe kur kujton se njerëzit që dikur e anatemonin Luftën në Kosovë dhe bënin kontrabandë në kurriz të të dëmtuarve, si në rastin e Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij, tashmë bëjnë patriotin. Teksa një lukuni e tërë servilësh derdhen pa fund në mbrojtje të narracioneve të shëmtuara të PD-së, për fat të keq publiku shqiptar ka humbur busullën drejt së të vërtetës, ashtu si për hir të konjukturave nuk mund ta mohojë dot haptazi gënjeshtrën. Lista e shembujve nuk do të dilte për një artikull të tillë, ku do të duhej qe pena e përgatitjes së një studimi të filozofit dhe e sociologut të bashkoheshin për ta rrëfyer këtë paradoks që po e mbyt demokracinë tonë në çdo hap. A duhet bërë fajtor shqiptari i thjeshtë dhe i zakonshëm?! Në asnjë mënyrë jo. Edhe pse tribunat, kryesitë, mundësitë, punët e mira i marrin në një masë të madhe të pazotët dhe kameleonët. Ka një përcaktim shumë intelektual Fisnik Halimi, sociologu kosovar, lidhur me termin në fjalë: “Apatia e turpit është kur qytetari nuk e humb idealin, por e fsheh atë nga frika se do të quhet naiv.”
Për t’i dhënë qytetari këtij termi po mbështetemi disi në artin viziv. Artistët kanë mundur ta zbërthejnë përmes metaforave. Me një metaforë gati të tillë, artisti belg Paul Delvaux realizoi veprën e tij “La Vénus endormie”(1944) gati në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur Brukseli ende bombardohej ashpërsisht. Në këtë tablo, Venusin e kundrojnë qenie të trishtuara në sheshin e një qyteti klasik. “Nga njëra anë, ekziston një trup femëror i zhveshur dhe i paturp Venusi, që prehet i qetë. Dhe nga ana tjetër, ekziston vdekja, zakonet viktoriane të veshura me të zeza sikur të ishin në zi, lutje si të Furieve të dhëna nga gra të tjera nudo, si dhe ndërtesa të zbrazëta që i sugjerojnë shikuesit se ato dikur përmbanin gjallërinë e aktivitetit dhe politikës. Imazhet të sjellin në mendje kërcënimin, ngecjen dhe mundësinë. Rrëfimet që njerëzit tregojnë sot rëndom për politikën demokratike janë pothuaj e njëjta gjë”, shkruante sociologia Jill Locke gati një dekadë më parë në artikullin “Democracy and the Death of Shame-Examining the politics of shame’s alleged decline” (“Demokracia dhe Vdekja e Turpit – Duke shqyrtuar politikën e rënies së supozuar të turpit”).
Demokracia sot në Shqipëri nuk po vuan thjesht nga arroganca e politikës dhe urrejtja e të pazotëve që janë mediumi me të cilin sot drejtohet në formë të centralizuar nga sipër, por edhe nga fakti i pamundësisë së publikut të dëgjohet. Vetëm se e ngriti zërin orët e fundit një avokat për provat, duke bërë punën e tij me mbrojtjen e klientit, është ndaluar fizikisht!! Një pjesë e banorëve në lagjet e kryeqytetit nuk e gjenin të drejtën e tyre për shtëpitë që do iu prisheshin me të padrejtë, me preteks tërmetin, edhe kur apeluan dhe provuan të kundërtën. Nuk po flasim për drejtorët e bashkisë që tenderonin firmat e tyre. E pamundur që të apelohet të zyrtarët e sotëm të administratës Rama që kryeqyteti ka në disa lagje më pak orë ujë se gishtat e një dore (!), ashtu si është e pamundur që tiranasi i thjeshtë ta ngrejë zërin dhe të thotë: Mjaft e kafshuat me kulla perimetrin e Parkut të Liqenit Artificial! Mjafti publik nuk arrin në veshët e pushtetarëve. Nëse guxon ta ngresh zërin sepse do të kesh përballë, zyrtarin e radhës që me ndihmën e power point dhe lloj-lloj programesh kompjuterike të të tregojë se Parku është rritur dhe se qytetari kryeqytetas ka shumë më tepër metra katror gjelbërim se paraardhësit e tij. Paçka se e kundërta duket edhe me sy të lirë. Kjo na bën naivë, për të mos thënë të trullosur para një gjendje që nuk e ndryshojmë dot. Nuk e ndryshon dot sepse e di që drejtori i radhës që do vij në aksh institucion me paturpësi, paaftësi dhe pa formimin e duhur, qoftë edhe me ndihmën dhe të kolegëve të nënshtruar dhe konjukturalë, të të shkatërrojë dhe madje të të përqeshë pas kurrizit. Rasti i RTSH-së, mes të tjerave, është i qartë në muajt e fundit. Shembujt janë të pafundmë, por shqiptari i thjeshtë është i bllokuar moralisht, nuk e mbron dot të vërtetën, nuk e kundërshton dot më të padrejtën (eufemizëm i gënjeshtrës) që tashmë ka marrë lloj-lloj formash.
Si epilog, dikush që ka mundësi mund ta ndjejë këtë metaforë tek piktura e Delvaux, e cila tashmë gjendet e ruajtur në koleksionin e Tate në Londër prej vitit 1957, si kujtesë për udhën ku po na çon pa kthim “Apatia e Turpit”./kb