Last Updated on 22/10/2025 by Leonard
Nga Leonard Veizi
Në Shqipëri, çdo ditë e më shumë dëgjojmë lajme që të lënë pa fjalë: dy persona janë vrarë si pasojë e një grindjeje banale, që ka ardhur pas kërkesës së një klienti për të pirë një kafe në një lokal province. Dhe meqenëse kafeja nuk i është ofruar, ka plasur sherri. Dhe ne shqiptarët sherrin e kemi të rëndë, deri në mohimin e jetës.
Vërtet një klient mund të ndihet i fyer e i dhunuar në nder e personalitet, kur banakieri i thotë se ekspresi ishte i fikur dhe nuk mund të bëhej kafeja e kërkuar pas mesit të natës?
Këtë nuk ma rrok mendja.
Më parë se kaq, shqiptarët janë dëgjuar që të jenë vrarë për një vend parkimi, për një vështrim të vëngërt, për një karikues celulari apo për një fjalë goje. Aty ku dikur jeta kishte vlerë, tani duket sikur ajo peshohet më pak se një kafe apo një paketë cigare. Dhe kjo nuk është thjesht një shprehje poetike — është realiteti i hidhur që po jetojmë.
Është e kuptueshme — edhe pse aspak e justifikueshme — që pas shumë krimeve fshihen interesa të mëdha: tregtia e drogës, larja e hesapeve në tentativën për ndarjen e territoreve të shfrytëzimit, ku lëvizin jashtë kontrollit të ligjit shuma marramendëse parash. Këto janë krime që ndodhin në shumë vende të botës, ku bandat dhe interesat ekonomike mafioze e shkelin ligjin për të mbrojtur kontrollin e tyre.
Por çfarë ndodh në Shqipëri është edhe më tragjike: këtu jeta po shuhet për asgjë. Një karikues telefoni i munguar, një fjalë e hedhur pa mend në rrjete sociale, një gërvishtje makine, një ulje në kafenenë “e gabuar” — mjafton që dikush të kthehet në shtëpi i mbështjellë me qefin.
Dhe kjo na shtyn të pyesim: si arritëm deri këtu?
Kultura e mosndëshkimit ka luajtur një rol vendimtar. Kur vrasësit lirohen me “mungesë provash”, kur krimi nuk ndëshkohet, ai bëhet mënyrë jetese. Në një shoqëri ku drejtësia funksionon si pazari i mëngjesit, ku gjykatat janë më të frikshme se kriminelët vetë, atëherë njerëzit humbasin besimin dhe fillojnë të marrin “drejtësinë” në duart e tyre. E kur njeriu nuk ka më frikë nga shteti, por as ndjen përgjegjësi morale për jetën e tjetrit, atëherë kthehemi në një xhungël moderne.
Për më tepër, në shumë raste, dhuna është bërë pjesë e identitetit mashkullor shqiptar. “Mos u bëj burrë pa bërë një krim”, “ai është burrë se s’të fal” – janë fjalë që nuk janë të rralla në gojët e njerëzve, veçanërisht në zonat ku zakonet e vjetra sundojnë ende mbi ligjin dhe arsyen. Kjo mendësi e rrezikshme ka kultivuar breza të tërë që e shohin dhunën si formë autoriteti dhe respekti.
Në këtë realitet, jeta ka humbur vlerën, sepse kemi humbur vetë kuptimin e jetës në shoqëri. Nuk mësojmë në shkollë si të zgjidhim konfliktet, nuk mësojmë të dialogojmë, nuk mësojmë të respektojmë njëri-tjetrin. Rritemi me bindjen se për të mos u shtypur, duhet të shtypësh. Dhe kështu, dhuna kthehet në normë.
Në fund, ne nuk mund të mos e themi: kjo situatë është një pasqyrë e dështimit të institucioneve, e mungesës së drejtësisë, e neglizhencës shtetërore, por mbi të gjitha është dështim i vetëdijes kolektive.
Dhe derisa të kuptojmë se asgjë nuk është më e shtrenjtë se jeta e njeriut, do të vazhdojmë të humbasim njerëz për gjëra pa asnjë vlerë — për një kafe.
Sepse po, në Shqipëri sot, jeta është bërë më e lirë se ajo.
Dhe kjo është një tragjedi që duhet të na zgjojë të gjithëve.
Por ndoshta gjithë çfarë thamë në kaq pak rreshta është përsëritëse deri në mërzi — dhe as që ia vlen të thuhet më. Sepse asgjë nuk lëviz përtej kësaj.
