Last Updated on 27/10/2025 by Kesjana
Sekretari i PL, Tedi Blushi, tha se shumica e zyrtarëve të PS kanë dosje në një institucion, dhe sipas tij, këta të fundit kanë frikë nga krimet e tyre.
Ai u bëri thirrje që të lejojnë zhvillimin e seancës, dhe shtoi se socialistët duhet të çlirohen nga komplekset që sipas tij kanë grabitur buxhetin e shtetit.
“Z. Kryetar, sot duhet të jetë një ditë shumë e rëndësishme si për llogaridhënien ashtu edhe për transparencën dhe i vetmi mekanizëm që i garanton këto dy element është debati, janë edhe pyetjet.
Unë e kuptoj që i vetmi manual që ju keni është manuali i kodit mafioz “Omerta”, sepse shumica prej jush, në fakt, kanë dosje në një institucion, i cili është gjymtyra më e shëmtuar e këtij regjimi represiv.
Unë dhe besoj, shumica e kolegëve të mi opozitarë, nuk duhet të kemi dhe nuk kemi asnjë iluzion, sidomos pas raportit të OSBE-ODHIR, për të folur për institucione të pavarura në një regjim ku shteti dhe partia janë shkrirë në një.
Ndaj ju ftoj të lejoni debatin, të lejoni pyetjet dhe të mos keni frikë nga transparenca dhe llogaridhënia.
Ndaj lejoni që kjo seancë sot të garantojë transparencën dhe llogaridhënien për këto institucione, të cilat me vetëdije dhe me qëllim janë bërë palë e një regjimi represiv, në radhë të parë ndaj qytetarëve dhe sidomos ndaj Opozitës dhe veçanërisht ndaj dy liderëve të Opozitës, nga këto institucione gjoja të pavarura, që nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse janë sjellë si armiq me liritë dhe të drejtat e njeriut, si armiq me demokracinë dhe pluralizmin politik.
Ndaj çlirohuni nga komplekset e krimeve tuaja, çlirohuni nga makthet dhe hajdutëritë që i keni bërë buxhetit të shtetit dhe lejoni që kjo seancë të zhvillohet, në radhë të parë për qytetarët që duan të dinë se ku kanë përfunduar dhe ku përfundojnë taksat e tyre dhe pse kjo hajdutëri nuk është hetuar.”, tha Blushi./kb
