Nga Owen Jones
Demokracia mund të jetë duke vdekur në Shtetet e Bashkuara. Nëse pacienti do të marrë trajtim urgjent në kohë, do të përcaktojë nëse kjo gjendje do të bëhet e pakthyeshme. Para rikthimit të Donald Trump në presidencë, unë paralajmërova për “orbanizimin” e Amerikës — duke iu referuar liderit autoritar hungarez Viktor Orbán. Në Hungari, demokracia nuk u shua nga skuadrat e pushkatimit apo nga burgosjet masive të disidentëve, por nga një rrëzim i ngadaltë: sistemi zgjedhor u shtrembërua, shoqëria civile u godit, dhe oligarkët pro-Orbán përthithën në heshtje mediat.
Nëntë muaj më vonë, orbanizimi po lulëzon në anën tjetër të Atlantikut. Miliarderi Larry Ellison, bashkëthemelues i kompanisë Oracle, dhe i biri i tij, regjisori David Ellison, janë kthyer në instrumente të drejtpërdrejta të këtij procesi. Trump mburret se ata janë “miq të mi – mbështetës të mëdhenj të mi”. Larry Ellison, njeriu i dytë më i pasur në botë pas Elon Musk, ka derdhur dhjetëra milionë dollarë në arkat republikane. Pak pas zgjedhjeve të vitit 2020, ai mori pjesë në një telefonatë ku diskutohej sfidimi i legjitimitetit të votës. Djali i tij, David, më parë kishte mbështetur demokratët – por dikur, këtë gjë e kishin bërë edhe vetë Trump, vajza e tij Ivanka dhe dhëndri Jared Kushner.
Në gusht, kompania e David Ellison, Skydance Media, bleu gjigantin Paramount Global me mbështetje financiare nga babai i tij, duke e bërë Ellison kryetar dhe CEO të entitetit të ri. Përveç një pjese të madhe të Hollywood-it, kjo blerje solli edhe kontrollin mbi CBS News – një nga tre rrjetet më të mëdha televizive amerikane. Gjatë zgjedhjeve të kaluara, Trump kishte kërkuar që CBS të humbiste licencën e transmetimit për shkak të “anshmërisë politike” dhe madje kishte paditur rrjetin për një intervistë të Kamala Harris që ai e quajti “tejet përkëdhelëse”. Por tani humori i tij ka ndryshuar: “Ellison do të bëjë gjënë e duhur me rrjetin”, deklaroi Trump me kënaqësi kur ndodhi ndryshimi i pronësisë. Optimizmi i tij u shpërblye shpejt: një i emëruar nga Trump u vendos si ombudsman në CBS për të monitoruar “anshmërinë”, dhe gazetarja Bari Weiss – ish-demokrate e kthyer në luftëtare kundër “woke”-izmit – u bë kryeredaktore.
Zyrtarë të administratës Trump tani sinjalizojnë se janë gjithashtu pro që Paramount Skydance të blejë Warner Bros Discovery, kompani që zotëron HBO dhe CNN. “Kush e zotëron Warner Bros Discovery është shumë e rëndësishme për administratën,” tha një zyrtar i lartë për gazetën konservatore New York Post. Po sipas saj, konkurrentët e tjerë do të përballen me “pengesa rregullatore”, ndërsa CEO i WBD-së do të duhet të marrë parasysh gatishmërinë e administratës për të “goditur anshmërinë e majtë” që, sipas saj, mbizotëron në mediat kryesore.
Ndërkohë, Larry Ellison udhëheq një grup investitorësh që pritet të marrin kontrollin e operacioneve amerikane të TikTok-ut, së bashku me partnerë të tjerë si Rupert Murdoch dhe fondi shtetëror i investimeve i Abu Dhabit. Edhe pse kritikat e Trump ndaj TikTok-ut janë përqendruar tek lidhjet e tij me Kinën, figura të rëndësishme të lëvizjes MAGA, si Josh Hawley dhe Marco Rubio, kanë kërkuar ndalimin e aplikacionit për shkak të “anshmërisë anti-izraelite” dhe për ndikimin e tij tek të rinjtë amerikanë që po simpatizojnë palestinezët. Ellison është një mbështetës i zjarrtë i Izraelit dhe ka dhuruar miliona për ushtrinë e tij përmes organizatës Friends of the Israel Defense Forces. Ata do të jenë të kënaqur ta kenë atë në krye.
Në vitin 2015, Safra Catz, drejtore ekzekutive izraelito-amerikane e Oracle-it, i shkruante ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak: “Ne besojmë se duhet ta rrënjosim dashurinë dhe respektin për Izraelin në kulturën amerikane.” Oracle do të ketë mbikëqyrje mbi algoritmin e TikTok-ut.
Por kjo nuk ndalet me Ellisonët. Trump ka kërcënuar pronarin e Meta-s, Mark Zuckerberg, se “do ta kalojë pjesën tjetër të jetës në burg” nëse i del kundër. Sot, Zuckerberg s’ka arsye për t’u shqetësuar: ai është përpjekur të përfitojë nga administrata, duke hequr verifikimin e fakteve nga palë të treta në SHBA, duke lejuar tema të ndaluara si emigracioni dhe gjinia, dhe duke emëruar mbështetës të Trump në bordet ekzekutive.
Në Washington Post të Jeff Bezos-it, gazetarja Karen Attiah tha se u pushua nga puna “sepse foli kundër dhunës politike, standardeve të dyfishta racore dhe apatisë amerikane ndaj armëve”, pas vrasjes së Charlie Kirk.
Humoristi liberal Jimmy Kimmel u pezullua nga ABC pas ndërhyrjes së kryetarit pro-Trump të Komisionit Federal të Komunikimeve. Ndërkohë, Korporata e Transmetimeve Publike – prej kohësh e konsideruar armiqësore nga Trump – është defonduar dhe mbyllur. Administrata ka marrë kontrollin mbi akreditimet mediatike në Shtëpinë e Bardhë, duke përjashtuar Associated Press. Mediat amerikane humbën qasjen në Pentagon pasi refuzuan të raportonin vetëm informacionet e autorizuara nga Departamenti i Mbrojtjes. Paditë e Trump ndaj mediave i kanë trembur më tej ato.
Kjo shkon shumë përtej kontrollit mediatik. Trump ka dërguar Gardën Kombëtare në bastione demokrate dhe po përqendron kontrollin mbi zgjedhjet. Republikanët kanë nisur ofensiva të reja për manipulimin e zonave elektorale, ndërsa kërkojnë denatyralizimin dhe dëbimin e kandidatit socialist për kryebashkiak të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, me kërcënimin e Trump se do t’i heqë qytetit fondet federale. Edhe në Hungari, Orbán i preu fondet bashkive të opozitës. Kundërshtarët po kërcënohen me arrestim: John Bolton, sado i urryer politikisht, është bërë shembull i parë i kësaj spiraleje, me akuzat që i janë ngritur. Ish-strategu Steve Bannon ka pohuar se ekziston një plan për të anashkaluar kushtetutën që t’i mundësojë Trump-it një mandat të tretë. Lista mund të vazhdojë gjatë.
Demokracia amerikane ka qenë gjithmonë e brishtë. Ajo është aq e varur nga elitat e pasura, sa që një studim akademik i vitit 2014 e quajti sistemin politik “të manipuluar në favor të oligarkëve”. Por ndryshe nga Hungaria, SHBA nuk ka histori diktature dhe ka funksionuar me sistemin e ekuilibrave të pushteteve — ndaj shumëkush besonte se tirania nuk mund të zinte rrënjë aty. Kjo vetëkënaqësi është përplasur tashmë me realitetin brutal: në vetëm nëntë muaj, SHBA është tërhequr drejt humnerës autoritare. Dhe kujdes — Trump ka ende 39 muaj në detyrë.
Burimi: The Guardian,/ Përgatit për botim: L.Veizi
