Përmbytjet në Vietnam kanë shkaktuar të paktën 10 viktima këtë javë, ndërsa niveli i ujit në një lumë të madh pranë zonave turistike ka arritur pikën më të lartë në 60 vjet.
Provincat bregdetare të vendit, ku ndodhet qyteti i lashtë Hoi An, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, janë goditur nga reshje të dendura që nga fundjava, me një rekord prej 1.7 metrash shi brenda 24 orëve.
Më shumë se 128,000 banesa në pesë provinca të Vietnamit qendror janë përmbytur, ndërsa në disa zona uji ka arritur deri në 3 metra lartësi.
Banorët e Hoi Anit u panë të ecnin nëpër ujë deri në brez, ndërsa katet e para të shumë dyqaneve ishin nën ujë.
Autoritetet shtojnë se disa kilometra rrugë janë dëmtuar ose bllokuar nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, ndërsa janë shkatërruar mbi 5,000 hektarë toka bujqësore dhe kanë ngordhur rreth 16,000 krerë bagëti.
Sipas Institutit Kombëtar të Motit, niveli i ujit në lumin Thu Bon, i cili kalon nëpër Danang dhe derdhet në det pranë Hoi Anit, ka tejkaluar rekordin historik të vitit 1964 me katër centimetra, duke arritur në 5.62 metra të mërkurën në mbrëmje.
“Zakonisht përmbytjet zgjasin vetëm tre ditë dhe më pas fillojmë pastrimin”, tha banorja e Danangut, Le Thi Thi, 58 vjeçe. “Nuk besoj se kam përjetuar ndonjëherë një përmbytje kaq të gjatë dhe kaq të rëndë”, shtoi ajo për AFP-në.
Meteorologët raportojnë se niveli i ujit ka nisur të ulet ngadalë në Danang dhe Hue, por mbetet në nivel alarmi.
Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po e bëjnë motin ekstrem, si stuhitë dhe përmbytjet, më vdekjeprurës dhe më shkatërrues.
Vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti, fatkeqësitë natyrore në Vietnam, kryesisht stuhitë, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, kanë shkaktuar 187 të vdekur ose të zhdukur, ndërsa dëmet ekonomike vlerësohen në mbi 610 milionë dollarë./ K.M
