Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i pranishëm në Forumin e Paqes në Paris është pyetur se sa realist është integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor pa ardhur më parë pajtimi rajonal. Në përgjigjen e tij Rama theksoi rëndësinë e paqes dhe bashkëpunimit mes fqinjëve.
“Jemi të patundur në bindjen tonë që jo vetëm paqja është më mirë se gjithçka tjetër, por që sa më i lumtur komshiu, aq më e lumtur shtëpia. Pra, komshi i lumtur, shtëpi e lumtur. Diçka që ma ka mësuar gjyshja ime. Kështu që mos u kujdes vetëm për veten, por mendo edhe për fqinjin. Dhe nëse po gëzon vetë, po feston, atëherë sigurohu që fqinji të mos jetë duke vdekur urie, sepse pastaj i gjithë ky gëzim shkon për dreq”,- tha Rama.
Duke folur për situatën në rajon, Rama vuri në dukje se Kosova është një shtet në të drejtën e vet, por jo për Serbinë.
“Ne kemi politika bashkëpunimi dhe dialogu me të gjithë në rajon. Natyrisht, kemi një problem me Serbinë, një problem të madh, që është Kosova, apo Kosovo, siç i thonë këtu. Kosova është një problem, sepse për ne është një shtet në të drejtën e vetë dhe jo vetëm për ne, por për shumicën e vendeve të BE-së. Për Serbinë e për ndonjë vend tjetër nuk është. Dhe ky është një problem i madh”, tha Rama. m.p.
