Nga Leonard Veizi
Situatën aktuale në çdo rrugë të kryeqytetit, ku monopatinat elektrike gumëzhijnë si grenxha mbi mjaltë, do të doja ta zhveshja nga çdo fije serioziteti duke i vendosur në kornizën e një filmi, me një amendament të hidhur. Mbi të gjitha, kjo gjendje meriton një batutë të Dritëro Agollit, autor i romanit Njeriu me Top, që regjisori Viktor Gjika e ktheu në film:
-“Ty të shkojnë Fizët njëzet herë te dera e shtëpisë dhe ti, ri, i vështron si gallof. O pika, pika… Pse nuk vete t’u ndezësh cingaren?”
Kjo sentencë nuk i shkon për shtat vetëm situatës së tensionuar të filmit, por i vjen për mrekulli marrëdhënies së Policisë së Shtetit me monopatinat dhe me pronarët hipur mbi to. Këto mjete, të hedhura si mbetje urbane, u rikthyen në kryeqytet si kërpudhat pas shiut — apo më saktë, si fantazmat pas një aksioni të dështuar.
Aksioni për t’i zhdukur nga trotuaret dhe korsitë e biçikletave zgjati fiks sa koha që zgjat pirja e një kafeje dhe ndezja e një cigareje. Pra: një paradite, jo më shumë. Ishte një spektakël heroik sa hap e mbyll sytë, një tregim me fund të shkurtër, si ato story-t në Instagram që zhduken pas 24 orësh.
Sot, monopatinat jo vetëm që janë kthyer, por kanë vendosur monopolin e lëvizjes elektrike, duke shëtitur si pronarë të qytetit. Fluturojnë para syve të policëve që, si rëndom, rrinë e vështrojnë me duar në xhepa — ose, siç thoshte Agolli, si gallof. Dhe ne, me këtë performancë policore, duam të bëjmë shtet.
U fol për rregulla, gjoba astronomike, sekuestrime dhe një “rend urban” që do t’i jepte fund kaosit. Por çfarë ndodhi realisht? Aksioni dëshmoi se ligji është portativ, jo universal. Ai vlen vetëm për sa kohë që kameramani i televizionit regjistron pamjet e spektaklit. Pasi u bë “teatri” dhe u shpenzua buxheti, monopatinat u kthyen në vend. A nuk është kjo shpërdorim i fondeve publike në emër të një show mediatik?
Përtej abuzimit të hapësirës, kaosi i monopatinave është një rrezik serioz për sigurinë e këmbësorëve. Këto mjete fluturojnë mes tyre në trotuar me shpejtësi të papërshtatshme, pa rregulla dhe pa mbikëqyrje. Ky është injorim i hapur i jetës dhe shëndetit të qytetarëve — një tregues i qartë se rendi vendoset nga i forti, jo nga ligji. Në fakt, kemi krijuar një “markë” të re: Shqipëria, ku trotuaret nuk janë për këmbësorët, por për monopatinerët vetëvrasës.
Shpesh flasim për standardet europiane. Por në shumë qytete të BE-së, rregullat janë të rrepta: shpejtësia kufizohet automatikisht në zona të caktuara, parkimi i gabuar penalizohet digjitalisht dhe dënohet rëndë. Tek ne? Policia ngarkon monopatinat në mëngjes dhe i shkarkon në mbrëmje. Ne nuk arrijmë as rregullin e një fshati me rregulla, e jo më të një metropoli europian.
Uniforma nuk është thjesht pëlhurë, por serioziteti që ajo përfaqëson. Kur uniforma nuk përfaqëson asgjë, monopatinat e shkujdesura, makinat e parkuara në korsitë e biçikletave dhe zhurma e kaosit — janë thjesht pasqyra e asaj që ne e quajmë “Mentalitet Shtetëror”.
Ka ardhur koha që vetë policia, në vend që të rrijë si statujë në bulevard, të reagojë. Spektakli i “monopatinave portabel” u mbyll brenda ditës, por rrumpalla e lëshimit të ligjit do të zgjasë gjatë. Dhe ne do të vazhdojmë të pyesim me ironi: kështu duam të bëjmë shtet, apo thjesht po bëjmë teatër?
