Kryetari i bashkisë së qytetit Uruapan në Meksikë, Carlos Manzo, u vra të shtunën e 1 nëntorit, gjatë një incidenti të dhunshëm që ndodhi gjatë festimeve tradicionale të Ditës së të Vdekurve.
Sipas autoriteteve lokale, një grup i armatosur e sulmoi Manzon në mes të një aktiviteti masiv në sheshin kryesor të qytetit.
“Dy persona të përfshirë në sulm u kapën nga autoritetet lokale dhe një tjetër u neutralizua,” njoftoi Sekretaria e Sigurisë dhe Mbrojtjes së Qytetarëve në Meksikë.
Shteti i Michoacán-it, ku ndodhet qyteti Uruapan, ka qenë për vite me radhë skenë e përplasjeve të dhunshme mes karteleve të drogës që operojnë në rajon, shkruan BBC.

Në rrjetet sociale qarkullojnë video që tregojnë momentin e sulmit të ndodhur në mbrëmjen e së shtunës, ku dhjetëra persona u panë duke vrapuar për t’u larguar nga të shtënat.
Guvernatori i shtetit, Alfredo Bedolla, e dënoi ashpër atentatin në një postim në rrjetin social X:
“Dënojmë me forcë atentatin e pabesë ku humbi jetën kryetari i bashkisë së Uruapan-it, Carlos Manzo. Dy persona janë tashmë të arrestuar dhe një tjetër është vrarë.”/kb
