Më 1953, shteti i Kamboxhias në Azinë Juglindore shpalli Pavarësinë, duke i dhënë fund gati një shekulli sundimi kolonial francez. Pas 90 vjetësh nën administrimin e Parisit zyrtar, populli kamboxhian më në fund arriti të fitojë sovranitetin e tij kombëtar.
Franca kishte okupuar këtë vend të varfër të Indokinezës në vitin 1863, duke e shfrytëzuar ekonomikisht dhe strategjikisht si një nga bazat më të rëndësishme të saj në Azi. Për dekada, Kamboxhia u bë arenë e rivaliteteve koloniale dhe e një administrate që pak kujdes i kushtonte zhvillimit të popullsisë vendase.
Pavarësia erdhi si rezultat i një lëvizjeje të gjerë rezistence, që përfshinte forcat guerilase kamboxhiane dhe ato vietnameze, të cilat për vite me radhë zhvilluan luftime kundër ushtrisë koloniale franceze. Nën presionin e përshkallëzimit të luftës dhe ndryshimeve politike në rajon, Franca u detyrua të pranojë pavarësinë e Kamboxhias.
Kryeqyteti i vendit u përcaktua Phnom Pen-i, ndërsa udhëheqësi i parë dhe figura simbol e Pavarësisë u bë Princi Norodom Sihanouk, i cili luajti rol vendimtar në bashkimin e popullit kamboxhian dhe në diplomacinë që çoi në çlirimin e vendit nga sundimi kolonial.
Shpallja e Pavarësisë së Kamboxhias në vitin 1953 shënoi jo vetëm fundin e një epoke koloniale, por edhe fillimin e një kapitulli të ri në historinë e Azisë Juglindore, në një periudhë kur shumë vende të rajonit po luftonin për vetëvendosje dhe liri kombëtare.
Përgatiti: L.Veizi
